Superliga e Kosovës do ta përmbyll javën e 10-të me dy super sfida sot. Padyshim që befasia më e këndshme e këtij edicioni është Ballkani që deri të premten ka qenë lider, por fitorja e Gjilanit dhe Llapit e kanë zhvendosur në pozitën e tretë.
Tabela mund të ndryshoj sërish, pas derbit të javës që do të zhvillohet në qytetin e Gjilanit, ku Drita do të jetë nikoqire e Ballkanit.
Drita nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit ku ka marrë pesë fitore e tri barazime, derisa Ballkani është në seri të fitoreve ku ka marrë katër radhazi.
Kjo ndeshje do të gjykohet nga gjyqtari kryesor, Besfort Kasumi.
Për këtë ndeshje janë të gatshëm edhe tifozët besnik të Dritës, “Intelektualët”. Ata kanë ftuar të gjithë përkrahësit e Dritës në Stadiumin e Qytetit.
“Të dielën, nuk ke arsye të mungosh.Të dielën, bashkohemi të gjithë në përkrahje të skuadrës tonë Bardhë e Kaltër, për 3 pikët e rradhës që vlejnë shum. Të gjithë tifozët Intelektual, të gjithë djemtë dhe vajzat e qytetit pa dallime, nesër ftohen të jenë bashkë me ne në mbështetje të skuadrës tonë”, thuhet në njoftimin e fundit.
Interesant pritet të jetë edhe në qytetin e Ferizajt, ku Ferizaj do të jetë nikoqir i Prishtinës.
Të dyja sfidat e ditës së sotme zhvillohen me fillim nga ora 14:00.