Është mbajtur sot ceremonia e nënshkrimit të kontratave për subvencionimin e Organizatave dhe shoqatave nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që veprojnë në komunën e Vitisë.
Në këtë ceremoni, i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, Sokol Haliti, i cili duke uruar përfaqësuesit e OJQ-ve, theksoi se Komuna e Vitisë, në vazhdimësi ka qenë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë projektet të cilat kanë dhënë frytë e rezultate të mira.
“Shpresojmë e besojmë shumë që edhe kjo mbështetje, ky subvencionim, do të ndikoj që rezultatet tuaja të jenë evidente dhe ta pandalshme edhe në të ardhmen. Kultura, rinia e sporti, gjithnjë komunën tonë e kanë renditur lartë në vlerësime jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Andaj, ju uroj për rezultate e suksese të reja”, u shpreh kryetari Haliti.
Drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Valmir Sahiti, bëri të ditur se janë 27 Organizata, shoqata e klube sportive përfituese nga 31 sa kane aplikuar dhe se vlerësimi për ndarjen e këtyre mjeteve financiare është bërë nga Komisioni Komunal dhe atë në përputhje me Rregulloren për Subvencione të Komunës së Vitisë.
Ai po ashtu ka theksuar se komisioni ka qenë i përkushtuar që të bëjë një gjithë përfshirje sa i përket gjitha atyre që kanë aplikuar, kuptohet në bazë të kritereve të përcaktuara për aplikim sipas rregullores në fjalë. /2LONLINE/