Ka më shumë se dy muaj që subjektet opozitare, me vendosmëri të lartë, i kanë kundërshtuar në mënyrë aktive planet e Qeverisë së Kosovës për të instaluar në vendin tonë një republikë serbe dhe për t’ia falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë të territorit tonë. Gjatë kësaj kohe ne morëm edhe mendimin e qytetarëve rreth këtyre marrëveshjeve. Gjithandej nëpër Kosovë organizuam tubime e takime me qytetarë, në të cilat, kundërshtimi i këtyre të fundit ndaj planeve të qeverisë ishte absolut. Ne organizuam njërin nga peticionet më të mëdha në Kosovë dhe mblodhëm 205, 254 nënshkrime. Kështu thuhet në një komunikatë të përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma-s për Kosovën
Më tej thuhet:
Përballë protestave opozitare dhe mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, Qeveria e Kosovës u përgjigj me cinizëm, shpërfillje, përndjekje, arrestime, burgosje dhe dhunë policore. Ajo, po insiston t’i qëndrojë besnike Serbisë edhe pasi Serbia bëri çmos që përmes fushatës së saj raciste të na pengojë në UNESCO. Ajo po insiston në zbatimin e demarkacionit, edhe pse nuk ka ekspert të fushës që nuk ka treguar qartë se si Kosova humbë mbi 8000 hektarë nga kjo marrëveshje.
Qeveria Mustafa-Thaçi, që premtoi 200 mijë vende pune, krejt çka na solli janë projektet që rrënojnë shtetin tonë dhe e ndajnë etnikisht atë, skandalet korruptive, uljen e zhvillimit ekonomik, ikjen e mbi 100 mijë qytetarëve, etj.
Populli i Kosovës nuk mund të heshtë para një qeverie të tillë.
Prandaj, subjektet opozitare, më 28 nëntor 2015, në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” organizojnë manifestim kundër marrëveshjeve me Serbinë, demarkacionit me Malin e Zi dhe kundër Qeverisë së Kosovës.
Në këtë manifestim do të shprehet masivisht, vullneti i qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran e funksional. Për një shoqëri të barabartë dhe jo të ndarë në baza etnike, përfundon komunikata e prëbashlkët e subjekteve opozitare.