(2L ONLINE) – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri ka pritur në një takim Rektorin e Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, i cili ka qenë i shoqëruar edhe nga Koordinatori i këtij universiteti, Flamur Hyseni dhe Sekretari Vaxhid Sadriu.
Kryetari Haziri ka mirëpritur këtë takim, duke thënë se studentët e këtij universiteti mund të vijnë dhe të mbajnë praktikën në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
“Vizita e rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan është një vizitë e mirëseardhur për Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe besoj se kjo vizitë do të kontribuoj edhe më tepër në afrimin e Gjykatës Themelore me Universitetin “Kadri Zeka”, ku do të shkëmbejmë dhe do të marrin përvojat studentët e Fakultetit Juridik që është në kuadër të këtij universiteti, të kryejnë disa anë praktike dhe pas studimeve të punësohen në gjykatat tona, domethënë të dalin gjyqtarë apo prokurorë. Padyshim kjo do të kontribuoj në thellimin e drejtësisë në çdo segment të këtij regjioni dhe me padurim kemi pritur këtë vizitë”, tha kryetari Haziri.
Nga ana tjetër, Rektori Dërmaku së pari ka falënderuar kryetarin Haziri për mikpritjen, duke shtuar se ideja e këtij takimi është bashkëpunimi sa më i ngushtë mes Universitetit “Kadri Zeka” dhe Gjykatës Themelore të Gjilanit.
“Ideja e vizitës është të kemi një njohuri reciproke, të vijmë edhe ne këtu, të jemi afër me rrjedhat e punës që studentët tanë të bëjnë praktikë si tani ashtu edhe në të ardhmen në gjykatë. Ideja është që të jemi sa më afër me njëri tjetrin, të punojmë bashkë dhe të krijojmë favore për studentët tanë që të krijojnë njohuri. Por në të njëjtën kohë dëshirojmë që edhe ne të afirmojmë vlerat e drejtësisë dhe këto vlera të i bartim tek studentët tanë, në mënyrë që ato vlera të gjenerohen në tërë popullsinë dhe gjykata të ketë sa më pak punë në të ardhmen. Qëllimi është përhapja e sensit të gjyqësisë, përhapja e sensit të drejtësisë në shoqërinë kosovare”, tha Rektori Dërmaku.
Ndryshe kohë më parë Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nënshkruar memorandum me Universitetin “Kadri Zeka” për të pasur bashkëpunim më të ngushtë në këtë drejtim – thuhet në njoftim të Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore të Gjilanit. /2L ONLINE/