Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin nga Zvicra PH Zug ka pritur grupin e radhës të studentëve nga Zvicëa, të cilët janë duke marrë pjesë në një vizitë studimore një javore që përfshin aktivitete të ndryshme edukative, kulturore dhe punëtori.
Fillimisht studentët nga PH Zug dhe grupi i studentëve të UKZ-së janë pritur në takim mirëpritës nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka si dhe U.D Udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime Betim Berisha.
Gjatë kësaj vizite një javore, janë organizuar disa takime dhe prezantime që synojnë shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet studentëve dhe stafit akademik të dy institucioneve.
Në takimin me Dekanin e Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, profesorë, asistentë dhe studentë të Fakultetit, prezantuan punën e procesin e mësimdhënies e mësim nxënies. Ndërsa Prorektorja për Zhvillimin Akademik dhe Cilësi, Prof. Asoc. Dr. Voglushe Kurteshi, diskutoi për sistemin arsimor në Kosovë dhe sfidat që e karakterizojnë atë.
Studentët e PH Zug gjithnjë të shoqëruar nga studentët e UKZ-së kanë marrur pjesë në një punëtori mbi rolin e mësimdhënësve në shkollë dhe shoqëri, moderuar nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Ass. Dr. Selim Daku. Punëtoria nxiti diskutime të frytshme mbi rëndësinë e mësimdhënësve si udhëheqës në komunitet dhe rolin e tyre në edukimin e gjeneratave të reja.
Një tjetër moment kyç i kësaj vizite ishin prezantimet nga studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetit të Edukimit, ku ata ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre me studentët zviceranë, duke theksuar praktikat mësimore dhe hulumtimet akademike në fushat përkatëse.
Njëherësh, studentët patën mundësinë të ndjekin një prezantim mbi metodat specifike të mësimdhënies në Kosovë dhe sfidat në sistemin arsimor, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Lendita Nebiu – Hyseni nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike. Ky prezantim theksoi mënyrat se si mësimdhënësit në Kosovë përballen me sfidat në klasë dhe si metodat inovative mund të integrohen në procesin e mësimdhënies.
Këto aktivitete kanë ofruar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbimin ndërkulturor dhe profesional ndërmjet studentëve të PH Zug dhe UKZ, duke forcuar lidhjet akademike mes dy institucioneve. /2LONLINE/