Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan morën pjesë në Festivalin e Shkathtësive Digjitale në ITP Prizren. Ata shkëlqyen në programin Young Innovators dhe garat e Hackthons, duke prezantuar projekte inovative.
Në kategorinë e Young Innovators Program, studentët Erleta Baliqi, Eda Rina Shabani, Blinera Maliqi, Denis Aliti dhe Fitim Myrtaj nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni prezantuan idenë e platformës digjitale “EcoSwap” dhe fituan çmimin e parë. Kjo platformë synon digjitalizimin e riciklimit të letrës në institucione arsimore dhe riinvestimin e fondeve të fituara nga riciklimi për të mirën e institucionit.
Ndërsa në garën e Hackathon-it “Smart City Solution”, studentët Blendi Limoni, Alma Hoxha, Lirim Ymeri, Donesa Shala dhe Altin Pajaziti nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi zënë vendin e dytë me projektin e tyre “Real Time Traffic Monitoring”. Kjo është një solucion i bazuar në teknologjinë e sensorëve “Inductive loop” për të monitoruar trafikun në kohë reale dhe për të paraqitur të dhëna të detajuara në një hartë në faqen kryesore.
Rektori i UKZ-së Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka uruar studentët për suksesin e tyre të jashtëzakonshëm të arritur në Festivalin e Shkathtësive Digjitale në ITP Prizren. Ai ka thënë se arritjet e shkëlqyera të studentëve janë burim krenarie për universitetin tonë.
“Përmes inovacionit dhe përkushtimit, keni treguar potencialin tuaj të jashtëzakonshëm. Uroj që kjo fitore të jetë vetëm fillimi i një udhëtimi të mbushur me sukses dhe arritje të mëdha në të ardhmen” ka thanë Rektori Dërmaku.
Festivali u mbajt në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe u financoi nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Ky aktivitet thekson rëndësinë e kryqëzimit të tranzicionit të gjelbër dhe digjital, duke integruar teknologjitë e përparuara për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Organizimi i këtij festivali u bë përmes komponentit Digjital për Biznesin në kuadër të Qendrës së Transformimit Digjital të ITP-së dhe bashkoi 11 universitete publike dhe private në Kosovë. /2LONLINE/