(2L ONLINE) – Një storie e suksesit policor është raportuar sot nga zyrtarë policor për informim. Përgjatë janarit kishin ndodhë tri raste, që policia i kishte cilësuar si raste të grabitjeve, e ku pre e hajnave, kanë qenë taksistët.
Tre të arrestuarit, të dyshuar për kryerjen e veprave në fjalë, kanë kërkuar paraprakisht shërbime nga taksistët, për të kryer më pas grabitjen, në momentin që ata e kanë vlerësuar të përshtatshëm për të kryer aktin kriminal. Por, policia pas një pune të mirë operative i ka identifikuar kryerësit e këtyre veprave dhe pasi janë prangosur ata janë ndalur në mbajtje derisa lënda ka kaluar tek prokuroria.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka rikujtuar rastet duke thënë se rasti i parë ka ndodhur në fshatin Budrikë e Ultë, komuna Partesh, ku vozitësi i një kompanie TAXI gjersa ishte duke u kryer shërbime tre personave që kishin kërkuar t’i dërgonte në drejtim të fshatit Zhegër, me të arritur në fshatin Budrikë e kanë urdhëruar ta ndalë veturën dhe nën kërcënim të armës-revole dhe një thike, ia kanë grabitur pazarin ditor në vlerë 43 €. Viktima gjatë ballafaqimit me tre të dyshuarit ka pësuar lëndime të lehta fatmirësisht.
Zëdhënësi Hashani tha se po ashtu me 14 janar në dy raste të ndara janë raportuar edhe dy ‘grabitje’, që të dyja në qytetin e Gjilanit dhe cak i sulmeve kanë qenë vozitësit e dy veturave TAXI.
Toger Hashani tha se tre persona të dyshuar në intervale të ndryshme kohore kishin kërkuar shërbime nga ta dhe në momentin kur janë futur në rrugë dytësore dhe të errëta në rastin e parë vozitësit ia kanë grabitur 50 € dhe në rastin e dytë tjetrit vozitës 30 €.
“Policia e Kosovës, njësitet hetuese të stacionit policor të Gjilanit, gjatë punës operative hetimore në një kohë kanë arritur që të grumbullojnë prova të qëndrueshme dhe të identifikohen kryesit e këtyre veprave të rënda penale. Tre të dyshuarit B. L., F. L., dhe H. R. dy nga ta të mitur, besohet se kanë vepruar si grup kriminal dhe në bashkëveprim kanë marrë pjesë në të tri rastet veç e veç. Tek i dyshuari H. R. është gjetur arma-pistoleta e markës ECOL Special me një karikator, e cila besohet se është përdorur në rastet e ‘grabitjes’”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.
Po ashtu në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë treguar ku e kanë hedhur portofolin e njërit nga të dëmtuarit me dokumente personale, të cilit i janë kthyer nga Policia e Kosovës.
Tre të dyshuarit dy nga ta të mitur janë intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës si dhe punëtorëve të QPS-së. Me vendim të prokurorit të shtetit për krime të rënda dy të miturit F. L. dhe H.R. ndalohen për 24 orë, ndërsa i dyshuari B. L. ndalohet për 48 orë.
Rasti i kompletuar procedohet në Prokurori. /2L ONLINE/