Edhe përkundër faktit, se grevat janë instrument demokratik i organizatave sindikale për zgjidhjen e problemeve të punëtorëve, duhet gjetur momentin e duhur kohorë dhe politik për fillimin e demonstrimit të pakënaqësive ndaj pushtetarëve.
Grevat nuk i duhen Kosovës në rrethana të paqarta politike
Fillimi i grevave të shërbyesve të sektorit publik në nivelin lokal dhe qendror, në kohën më të papërshtatshme të krizës së madhe politike, mbase më kritike që nga përfundimi i luftës 23 vite më parë, kur e gjithë bota demokratike është ngritur në parandalimin e eskalimit të situatës në veri të vendit tonë, sindikalistët sillen sikur ta kishim në situatë normale për bllokim të shërbimeve ndaj qytetarëve të lodhur nga varfëria dhe denigrimi social!
Janë një mijë e një arsye për të protestuar gjithandej Kosovës, por jo tani në këto momente kritike që po kalon vendi ynë.
Jo për të mbështetur pushtetarët, por grevat dhe pakënaqësit qytetare në kohë krizash politike siq është kjo e tanishmja, jo vetëm që nuk janë produktive dhe nuk e ndihmojnë askënd në Kosovë, i shkojnë për shtati armikut tonë verior për t’i realizuar më lehtë aspiratat gjeopolitike ndaj shtetit tonë të brishtë.
Të gjithë në mbrojtje të shtetit
Hyrja e Kosovës në bisedime si palë e pabarabartë, gjegjësisht si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e jo si shtet i pavarur, përkatësisht me fusnotë* e pa Republikë, e ka bërë Serbinë superiore në të gjitha takimet, duke e trajtuar Kosovën herë si provincë (krahinë) e herë si koloni të saj!
Nga fillimi i bisedimeve e deri deri më sot, politika kosovare në dialog me Serbinë ka qënë pa krye dhe pa platformë shtetërore të bisedimeve, duke e ulur tejë mase peshën e bisedimeve, të cilat gjithmonë po shkojnë në favor të Serbisë.
Themelimi i Gjykatës (së njëanshme) Speciale dhe amnistimi i kriminelëve serb, do të thotë shpëlarje e duarëve të serbëve me gjakun e shqiptarëve! Në këtë rast, qytetarët e burgosur në gjysëm shtetin e Kosovës, të vetmin shpëtim e shohin largimin sa më parë nga vendi i tyre në kërkim të një jetë të re në shtetet evro-perëndimore.
Mbrojtja e shtetit, obligim kombëtar
Andaj, më i rëndësishëm se liberalizimi i vizave, është ekzistenca e shtetit, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë.
Me ose pa liberalizim të vizave, përsëri do të udhëtojnë ata që kanë para, ndërsa qytetarët e varfër do të përballen me kafshatën e gojës dhe “botën e vogël” që i rrethon!
Liberalizimi i vizave pa sundim të ligjit dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore, mund të jetë fatale për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët, paraprakisht largimit nga Kosova, duhet ta ndëshkojnë këtë klasë politike që ua bëri jetën ferr!
Askush nuk e ka të drejtën t’iu thurë lavde pushtetarëve aktualë, të cilët nuk dallojnë për asgjë nga pushtetarët paraprak, qoftë në politik-bërjen e brendshme, ashtu edhe në procesin e dialogut me Serbinë!
Sikur të kishim një klasë politike të përgjegjshme, paraprakisht liberalizimit do të kishim zhvillim ekonomik dhe mirëqënje për qytetarët, atëherë levizjen e lirë do ta kishim përjetuar si diçka normale e jo si çështje ekzistenciale!
Nëse me të vërtetë e duam Republikën e Kosovës si shtet tonin, të ngrihemi të gjithë në mbrojtje nga invazioni serb, t’i ndërpresim të gjitha grevat dhe protestat popullore, kurse kundërthënjet partiake dhe personale t’i kthejmë në unitet kombëtar për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë. /2LONLINE/