Kryetari i organit koordinues për jugun e Serbisë, Zoran Stankoviq, tha se në bisedimet me Ministrin e rinisë dhe mirëqenies sociale të Shqipërisë, Erion Veliaj, është trajtuar çështja e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
“Veçanërisht kemi biseduar për bashkëpunimin lidhur me arsimin e shqiptarëve në jug të Serbisë, për arsye se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka propozuar, e Ministria e arsimit e Serbisë e ka pranuar, shfrytëzimin e 18 librave nga Shqipëria”, tha Zoran Stankoviq pas takimit me zotin Veliaj.
Mëtutje, siç raporton agjencia Beta, Zoran Stankoviq ka thënë se pala serbe ka shprehur interesim për avancimin e bashkëpunimit dhe eventualisht përdorimin e më tepër librave shkollorë nga Shqipëria, nëse përmbajtja e tyre e kalon kontrollin e Ministrisë së arsimit të Serbisë.
Në bisedime Stankoviq – Veliaj në Preshevë, është diskutuar edhe për nostrifikimin e diplomave të universiteteve shqiptare në Serbi.
Gjatë vizitës në Preshevë, ministri Erion Veliaj, është takuar edhe me deputetin në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, dhe me liderët e tjerë shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Raportohet se Stankoviq dhe Veliaj kanë diskutuar edhe për vizitën e ardhshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, me ç’rast pritet takimi me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.