Stafi i Qendrës Rajonle të Shëndetit Publik në Gjilan po trajnohet për përdorimin e aparatit për teste serologjike dhe me metodën RT-PCR për COVID-19.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas vizitës që i bëri këtij institucioni.
“Këtu po bëhet përgatitja e dy llojeve të testeve, serologjike dhe me metodën RT-PCR. Ekipet e trajnimeve dhe të vendosjes së mjeteve tashmë janë duke punuar, përgatitja e stafit besoj shumë që do të ndodhë në kohë optimale dhe do të lehtësohet shumë gjendja, mbikëqyrja dhe monitorimi në Gjilan e Anamoravë”, ka deklaruar Haziri.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, dr. Ajhane Sefiu, ka thënë se po përgatiten që së shpejti të fillojnë t’i punojnë testet dhe të dalin me rezultate ditore.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Dr. Ukshin Ismaili, pasi tregoi se gjendja në këtë institucion është paksa më e lehtësuar, ka apeluar qytetarët që t’iu përmbahen këshillave të institucioneve për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Në këtë takim ka folur edhe drejtoresha e QKMF’së në Gjilan, Dr. Arbenita Hajdari, e cila ka konfirmuar se deri tani janë vaksinuar mbi 8 mijë qytetarë kundër gripit sezonal, derisa theksoi se brenda ditës ekipet mjekësore po realizojnë deri 40 vizita në ditë nëpër shtëpitë e pacientëve të prekur me COVID-19.
Gjendja e përgjithshme e përballjes me pandeminë në Gjilan është kjo: Nga 7335 teste, 2901 kanë rezultuar pozitivë, 2581 janë shëruar, 86 kanë vdekur, 235 raste janë aktive, 55 në hospitalizim dhe mostra në pritje janë 65. /2LONLINE.com/