Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë ka dalë me një sqarim lidhur me pakënaqësitë e shfaqura nga prindërit dhe këmbënguljen e tyre të vazhdueshme që nxënësit e ciklit fillor të zhvillojnë mësimin në ndërrimin e dytë dhe nxënësit e ciklit të mesëm të ulët të zhvillojnë mësimin në ndërrimin e parë.
Ja sqarimi i plotë:
Sqarim nga Drejtoria Komunale e Arsimit
Me pakënaqësitë e shfaqura nga prindërit dhe këmbënguljen e tyre të vazhdueshme që nxënësit e ciklit fillor të zhvillojnë mësimin në ndërrimin e dytë dhe nxënësit e ciklit të mesëm të ulët të zhvillojnë mësimin në ndërrimin e parë, Drejtoria Komunale e Arsimit bën këtë sqarim:
Në bazë të Udhëzimit Administrativ 3/2007 të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në shkollat në të cilat mësimi zhvillohet në të dy nivelet, shkollën fillore (1-5) dhe shkollën e mesmë të ulët (6-9), mësimi për nivelin e parë zhvillohet në ndërrimin e parë, ndërkohë që mësimi për nivelin e dytë zhvillohet në ndërrimin e dytë.
Ky është akti i vetëm që rregullon këtë çështje dhe ne duhet padyshim ta zbatojmë.
Jemi të hapur dhe mirëpresim secilin mendim dhe propozim të prindërve që përmirëson cilësinë në arsim dhe mirëqenien e nxënësve, ndërkohë që bashkërisht mund të arrijmë të përmirësojmë kushtet dhe rrethanat që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në procesin mësimor.