Komuna e Vitisë ka vazhduar sot me ciklin e diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal 2020-2022.
Me këtë rast Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Milot Lala i kanë njoftuar sot sportistët vitias mbi draft buxhetin e paraparë për vitin në vijim.
Drejtori Rama potencoi se buxheti për vitin 2020 për komunën e Vitisë do të jetë 12 milion e 305 mijë euro por theksoj se buxheti i paraparë për kategorinë e subvencioneve është të jetë rreth 250 mijë euro dhe ky kufi buxhetor nuk mund të ndryshohet.
Ai tha se në këtë shumë përveç subvencioneve për Kulturë, Rini dhe Sport, parashihen edhe subvencionime të tjera si bursat, ndihmat momentale etj.
Drejtori Rama, shtoj se buxheti i DKRS për këtë vit ka qenë 38 mijë euro dhe kjo komunë po shikon mundësitë e rritjes së këtij buxheti.
Ndërkaq Milot Lala, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport potencoi se është për keqardhje që nuk ka një numër më të madh të pjesëmarrësve në këtë takim të rëndësishëm edhe pse sipas tij ata kanë qenë të njoftuar përmes mjeteve të informimit mbi këtë takim.
Gjatë këtij takimi sportistët paraqitën edhe nevojat dhe kërkesat e tyre, ndër to ata kërkuan: të rritet buxheti për sportin dhe të investohet më shumë në infrastrukturën e sportit, të rregullohet poligoni i qitjes, subvencionimi i klubeve dhe i sportistëve të bëhet sipas të arriturave të tyre, të ju jepet gjatë subvencionimit prioritet klubeve e sportisteve të cilët marrin pjesë në garat e ndryshme dhe që përfaqësojnë vendin.