/2L ONLINE/ Ekspozita E parë personale, e Avni Rudakut, nuk është hapur në ndonjë ambient publik apo privat fizik, por në atë online. Rudaku mendon se për t’i ikur rutinës, kërkesave dhe nervozave eventuale për krijim kontaktesh e lidhjesh me galeri private apo publike, apo për të lehtësuar procesin e pranisë në ekspozitë, duke ia mundësuar më kollajshëm artdashësve, ka hapur ekspozitën e tij personale, të parën, në xhirollogarinë e tij në facebook.
“Ekspozita me titull “Spoj”, do të jetë e hapur për të gjithë, ngase për një javë do të jetë e qasshme për recipientët, duke përdorur opcionin “public”, ndërsa pas një jave që do të mbyllet, do të jetë me opcionin “only me”!”, thotë Rudaku.
Ja vlerësimi i tij i plotë mbi këtë çështje por edhe linkun ku do ta shihni këtë ekspozitë online::
Nëse ti i sheh trangujt e domatet si penisa e vagina, unë përmes tyre shoh sall vetëm një sallatë të shijshme apo të pashijshme! Nga sot, jam më se i bindur se ti kabllot dhe prizat, nuk do t’i shohësh më vetëm kabllo e priza, por do të eksitohesh prej tyre! Madje, ndonjëri prej jush, në një ditë të vetme kur i ndizet epshi sa më s’ka, do të masturbon edhe sall duke parë kabllon në një prizë të dhomës, pa nevojën për pornografi apo imazh tjetër!
Nga sot, ti do të bindesh se kabllo dhe priza, do të ndryshojnë fantazinë tuaj seksuale! Sa herë do të shohësh një kabëll e prizë, apo kombinimet e tjera, do të qeshësh më vete dhe do t’ju kujtohet se sa eksituese mund të jenë këto sende jofrymore edhe seksualisht! Madje, do t’u shkoj ndërmend të masturboni sapo të shihni kabllon dhe prizën në dhomën tuaj, po që se shfrytëzoni me mjeshtëri fantazinë tuaj! E di, tash ju qeshet, por e ndryshoni bindjen me kalimin e kohës! Në rregull, qeshni tash, se keni për të qeshur përsëri e përsëri…
***
Secilit prej nesh, i kujtohen urdhërat e qortimet e prindërve për të mos prekur objektet apo gjithçka tjetër që lidhej me rrymën, prizat apo kabllot elektrike, duke na thënë se bën “spoj”; nuk ka ‘strujë’(rrymë) se ka pasur spoj; mos e fut kabllën në prizë se bën spoj, ikni se rryma bëri spoj, e kështu me radhë. “Spoj”, ndonëse fjalë me origjinë nga serbo-kroatishtja, si lidhje e shkurtër, për ne gjithmonë ka marrë kuptimin e tabusë; bashkimit dhe penetrimit të rrezikshëm, që ndërpriste energjinë elektrike, që shkaktonte shkëndija të frikshme, që jepte kontakt etj. Pra, bashkimet e panatyrshme, jofunksionale, të papërshtatshme, me kapacitete asimetrike, me lidhje të shkurtër e tension të lartë, etj., bënin spoj! Pavarësisht përdorimit më të shpeshtë në fushën e energjisë elektrike, ‘spoj’ vazhdon të ketë sidomos edhe për sjellje të caktuara në raport me energjinë seksuale. Akoma disa kombinime lidhjesh kabëll-prizë shkaktojnë ‘spoje kulturore’ në disa shoqëri/kultura/religjione/sisteme/tradita/individë, sakaq përfundojnë me akte tragjike sikur t’i godiste rrufeja.
Shekulli XXI është shekull i ‘spojave’ të mëdhenj. Ky shekull nuk ka filluar të marrë spoj më 1 janar 2001, por 9 muaj më vonë, më 11 shtator 2001, me sulmet terroriste në masë në kullat e Nju Jorkut dhe vazhdon ‘spojin’ më 12 qershor 2016, përsëri me vrasjet në masë, duke ‘elektroshokuar’ sidomos komunitetin LGBT, për të marrë dhimbja edhe përmasa universale. Dhe kemi ngelur përsëri në vitin 2001 nga ‘spoji i ri’ në Orlando, pavarësisht se në kalendarin gregorian jemi në vitin 2016. Për artistët, filozofët dhe historianët, vitet fillojnë dhe mbarojnë me ngjarje a ‘spoje’, e jo me numra kalendarik. Arti mund të jetë edhe në funksion të shënimit dhe shokimit të këtyre ngjarjeve spojsjellëse që ndajnë dhe lindin epokat e reja, por edhe për ‘postngjarjet’.
Duke përdorur kabllot dhe prizat e rrymës elektrike, ne formojmë mozaikun e një shtëpie/shteti/bote/shekulli/mileniumi diversiv e multikulturor, që ka kabllo njëfishe, dyfishe dhe shumëfishe, pa nevojën për të marrë spoj secili kombinim telash/kabllosh/prizash; se ka rrugë të ndryshme për të përçuar energjinë elektrike dhe te secili prej nesh ekziston fantazia se si marrim e japim rrymë, për të arritur elektricitetin dhe shmangur ‘spojin’. Lëndimi i tjetrit rreth mënyrave të arritjes së elektricitetit në mënyrën e vet, është goditje në vetë elektro-seksualitetin njerëzor. Duke dashur që të ketë brenda edhe tension dhe rezistencë (kritikë radikale ndaj vlerësimeve të postmodernizmit), e jo vetëm rrymë të pranueshme (postmodernizmi si relativizëm i skajshëm etik), ne kemi vënë 4 kategori të cilat duhet dalluar njëra me tjetrën:
1) Perversionet seksuale (pedofilia, nekrofilia, zooseksualiteti, etj.) pasi shkaktojnë ‘spojin psikik, kulturor dhe biologjik’ për shkak të pabarazisë së subjekteve që hyjnë në kontakt me njëri-tjetrin; nuk bazohen në vullnete të pjekura reciproke dhe janë në raporte asimetrike me njëri-tjetrin (njëri i rritur e tjetri i mitur me kabëll e prizë që mbyllet me plastikë si simbolikë e kujdesit për të vegjëlit; njëri i gjallë e tjetri i vdekur me kabëll që paraqitet me prizë të djegur apo të vdekur, ku merret rryma nga priza pa rrymë etj.);
2) Orientimet seksuale (gay, lesbike, biseksual, transeksual, etj.) përmes dy kabllove të ngjashme si simbolika subjektesh analoge në pjekuri, liri e vetëdije, apo dy priza si simbolika femërore analoge; transeksuali përmes një prize e cila transformohet në kabëll ngjashëm sikur transeksuali që ndërron seksin e lindjes etj. Në këtë kategori mund të jetë mospëlqimi si shije individuale për kombinimet e panumërta të përmbushjes së energjisë seksuale njerëzore, por kurrsesi futje në kategorinë e parë, sikur ndodh në shumë shoqëri dhe profesorë.
3) Fiksimet në veshjet dhe sjelljet urbane të meshkujve, qofshin edhe si metamorfoza personalitetesh dhe analizash psikologjike njerëzore (metroseksualiteti përmes kabllës së ngjyrosur rozë, transvestisët përmes kabllës me një kordel, etj.). Shpesh metroseksualët, transvestisët, lumberseksualët etj., hyjnë në kategorinë me gay-ët, por është futje e pasaktë!
4) Format e ndryshme të martesave të bazuara në tradita, religjione, sisteme ligjore, etj., sikur janë: poligamia përmes një kabllos me katërfishe prizë(katër gra), poliandria me katër kabllo(meshkuj) e një prizë, biandria (grua me dy burra), bigjinia (burri me dy gra) etj. Kjo fare nuk ka të bëjë me perversionet seksuale, por me normat ligjore dhe traditat lokale të një vendi.
Koncepti im “Spoji” i kundërvihet atyre që fusin në një thes të gjithë njësoj, qoftë ultrakonservatorëve, teo-shovinistëve, por edhe postmodernistëve të cilët relativizojnë skajshëm, sakaq përjashtojnë kritikën ndaj secilit variant të spojit. “Spoji” refuzon pikëpamjen fallucentriste në Mosul ku një grup teoshovinist ka gjobitur perimeshitësit në rast se nuk ndajnë domatet nga trangujt me një mjet ndarës në dyqan, sepse sipas tyre, trangujt janë si penisa e domatet si vagina, prandaj një akt i tillë është i ngjashëm me dënimin e një akti seksual në hapësirën publike. Duke synuar deseksualizimin e hapësirës publike, ata paradoksalisht e kanë seksualizuar ekstremisht atë.
Po ashtu, përmes “Spojit”, i kundërvihemi botëkuptimit dënues e tallës të aktit të ngrënies së bananes nga vajzat në hapësirën publike, për shkak të asociacioneve në formë e akt me seksin oral, pasi kjo e seksualizon teprueshëm frutin dhe palogjikshëm i përjashton disa pemë nga hapësira publike; i kundërvihemi edhe seksualizimit total përmes pornografisë, ku është seksualizuar secili autoritet, marrëdhënie dhe situatë, ku klikohet në video-xhirime të pornostareve të veshura si police, stjuardese, kuzhiniere, mësuese, amvise, inkasante, etj., dhe më pastaj shoqëria bën pyetje amatore: “Pse nxënësit nuk koncentrohen sot lehtë në klasë?!”, duke harruar se para se të vinte në shkollë, nxënësi kishte shikuar ‘video free porno teacher’, dhe gjersa flet mësuesja, fantazia e tij shndërrohet në parangjarje dhe parafytyrim kreativ: “Bash interesant nëse do të bënim seks në klasë me mësuesen, sikur në pornografinë e internetit!” Për fantazinë e tij, mësuesja është edhe një pornostare! Pra, koncepti im reflekton mbi deseksualizimin racional të seksualizimit irracional total në hapësirën publike nga grupet teoshoviniste, pornografia teknologjike, ngarendja e portaleve e yjeve të këngës në klikime përmes seksualizimit total e banal, si dhe reflekton reagimin tim ndaj një reviste pretigjioze globale që e rendiste Kim Kardashianin në 100 njerëzit më me ndikim në botë, duke u radhitur bashkë me emrin e nobelistes që luftonte për të drejat e femrave në arsimim! Arti nuk synoj të jetë pedagjogjik detyrimisht, por kurrsesi apatik, indiferent ndaj ngjarjes, parangjarjes dhe postngjarjes. “Spoj” ka mundur të paraqitet edhe përmes instalacioneve, por e kam përzgjedhur fotografinë si medium!
Seksualizimi i secilës marrëdhënie ndërnjerëzore universalisht përmes pornografisë në internet, seksualizimi i perimeve në Siri dhe Irak, ndalimi i postimeve për vajzat duke lëpirë bananen në Kinë, tallja dhe turpi i nënkuptuar në shoqërinë kosovare në rast se ju shohin si të rritur duke lëpirë një akullore apo duke ngrënë një banane, seksualizimi i video-spoteve në rritjen e shikueshmërisë e klikimit për dëgjim, seksualizimi i lajmit për senzancion e vëmendje të lexuesit, rritja e fuqisë së kolonës “rozë”, etj., janë vetëm disa nga situatat më të intensifikuara cinikisht dhe ironikisht në shekullin XXI! “Spoji” bëhet po ashtu vetë ironia mbi seksualizimin total të hapësirës publike!
Avni RUDAKU
Linku i ekspozitës virtuale.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10154999724758496&set=a.10154999724138496.1073742007.510038495&type=3&theater