(Hysen Këqiku: “Me t’mbet pikë n`zemër”)
Shkruan: Mehmetali Rexhepi
(Fjala e redaktorit)
Variacione poetike të kujtesës
/2L ONLINE/ – “Me t`mbet pikë n`zemër” është vëllimi poetik i radhës i autorit Hysen Këqiku. Brenda tre ciklesh: “Ode për çerdhen e shpirtit”, “Hullive të lavërtarëve të shkronjave” dhe “Mal brezave të shpirtit tim”, shtjellohen motive të një tharmi poetik, të brumosur me shtytje të fortë të mallit, për tu pjekur në letrën e jetë-shkrimit e të varg-shkrimit. Duke lexuar dorëshkrimin, pashmangshëm e ndjejmë forcën e ndjesive, për t`iu dhënë trajtë e veshje temave jetike, ekzistenciale: dhimbjes, qëndresës, gjakimeve estetike, që i përshkojnë poezitë e mbledhura në një tërësi libri.
Kujtesa është koncepti themelor, orbitës të së cilës sillen variacionet poetike dhe reflekset ideore të stisura në këtë libër. Nga ky këndvështrim mund të pohojmë, se ngjashmëria tematike e motivuese e kujtesës, e shtruar në trajtë përkushtimesh, pritej të prodhojë qasje uniforme të realitetit artistik; sepse fushë-shtrirja e lirisë së shprehjes është brenda përkushtimit. Mirëpo, këtu secili portret ka pamjen dhe fjalorin e vet.
Në këtë vëllim poezish, aq sa shpërfaqen anë të madhërishme e të bukura të shëmbëlltyrave të piketuara nga poeti, krahas ndjeshmërisë plekset dhe poza retorike.
Për çfarë i duhen poetit depërtimet e stilit retorik?
As këtij poeti, as akëcilit poet të mirëfilltë, nuk do t`i duhej shtrirja e retorikës në shtratin e poezisë. Andaj, kritika ndërtuese secilit poet do të duhej t`ia nënvizonte thirrmorin: kujdes! Ngase retorika është tinëzare, prore e gatshme për tu përvjedhur, duke pozuar poezinë për t`ua zërë vendin e pamerituar figurave tejbartëse të porosive refleksive. Poeti duhet ta ketë esëlltin edhe në dehjen e tij poetike.
Frerët e kujtesës, të kahes saj, i kap diskursi i përkushtimit me simotrën e tij, kujtesën, herë-herë sy-lagur për sivëllain e saj, motivin e mallëngjimit e të brengës. Por, çfarë mëtojnë këto kahe përshkuese të kësaj poezie? Gjithsesi nëpërmjet kaheve të tilla figurative, mëtohet përmbushja e hapësirës konceptore për të vënë në spikamë, sipas masës dhe “borxhit” shpirtëror të poetit, disa nga shëmbëlltyrat e tija të preferuara të bashkëkohësisë…
Qasjet e përkushtimit ose variantet e shpërfaqjes së aspekteve meritore për personazhet, që do të jenë subjekte të shtjellimit artistik, jepen përmes njëzet e pesë shëmbëlltyrash, që përmbushin të shumtën e hapësirës së relievit poetik të vëllimit “Me t`mbet pikë n`zemër.”
Si duket, regjistrin për zgjedhjen e këtyre personazheve, këtij poeti ia kanë diktuar zgripet ekzistenciale të ecjes së etnisë, simpatia identifikuese me ta e fatin etnik. Ndaj, herë merr frymë i tejmbushur, me fyt të shtrënguar për ngufatje, herë merr forcë nga shëmbëlltyrat e trajtuara, për t`ia gjetur një shteg të lirë frymëmarrjes së ngushtuar, pothuajse të mbyllur, që i solli aritmi, marramendje, zjarrmi, duf dhe lot.
Poezia dhe diskursi retorik
Diskursi i spikatjes së shëmbëlltyrave nis nga kontrasti i të sotmes me të djeshmen, duke shpaluar thelbin e mësymjes së kahershme, deri në atë shkallë sa ”atë jetë e flaku fryma /e flakës në zemër…”Vetëm kësisoj, përcaktimi emblematik për liri, i përkushtimit të Agim Ramadanit, ka gjasa për ngadhënjimin e lirisë.
As Hysen Këqiku, si dhe pena të tjera të shqip-shkrimit, kur duan ose joshen t`ua shquajnë tiparet e jashtme e të brendshme heronjve të adhuruar, nuk mund të mbetet një vështrues gjakftohtë, pa i veshur epitete epike, legjendare e, madje mitike, duke e shkëputur heroin nga mendësia e mjedisit të vet shoqëror… Me gjithë atë, poeti dëshmorin nuk e shkëput nga toka, pikërisht nga ai truall, ku heronjtë, sikurse Anteu, marrin bekimin e shumëfishimit të guximit, që me gatishmërinë e flijimit personal të ngadhënjejë tërësia.
Rrethi tematik për bëmat heroike, për shumësinë e qasjes kësaj tematike tek ne, duket si një vërdalle skematike, pa joshje estetike. Pse ndodh të jetë kështu? Kjo nuk përtrollitet nga rrethana shteruese e tematikës. Në këtë kontekst, risinë e përjashton ngjashmëria, përsëritjet e mjeteve stilistike ndërmjet kultivuesve të këtij lloji të poezisë. Atëherë, çka mbetet të kërkojmë dhe të shijojmë nga kjo lëndë e këtillë poetike? Fonemat, tingujt, rrokjet, togfjalëshat, tërësitë sintaksore nyjëtojnë kumte çiltërsie. Çiltërsia mund të mos ketë thellësi ideore, por spikatë konsiderata personazhesh, vetash e mal brezash… Këto nënvizime poetike konsideratash, qofshin në kontekstin e poezisë ose të pleksjeve retorike, në këtë libër, pothuajse, zotërojnë.
Megjithatë, Hysen Këqiku vijimisht, me dhjeta vjet, ag e terr, ka shpenzuar ngjyrë, ka shterur shkronja, për të shkrirë në qindra faqe shkrimesh, përfytyrime e dëshmi për artin e jetës sonë.
Përmbledhjet poetike “Melodia e pritjes”, mandej “Në prehën të idilës” të Hysen Këqikut, arrijnë pjekuri të artikulimit artistik. Në vëllimet e nënvizuara poetike, figura e mendimi, ndjeshmëria dhe përfytyrimi, kumti, pasqyrimi e reflektimi nuk e ngufasin njëra-tjetrën, por ruajnë baraspeshën e masës. Brenda tekstit figurat frymojnë nëntekstin, kumtin, reflektimet ideore. Në këto vëllime, autori duke mos hyrë aty ku nuk dilet, dhe duke mos dalë krejtësisht i zhveshur, shmang rutinën e bërjes poezi. Vargut i japin shpirt ndjenjat pa retorikë, dhe e shtyjnë për të pasur forcë ngjitjeje relievit të tyre, asnjëherë të njëtrajtshme, vazhdimisht drithëruese, impulsive, antitetike, dritë-hijesuese, nuhatëse, ritmike …
Në kontekstin parësor të fushës semantike, në këtë libër nuk haset fjalori i një qëmtimi të përqendruar poetik, sikurse në dy vëllimet e nënvizuara. Rrjedhimisht gruri, që do të bluhet, ka doza të shumta egjre.
Për ta tëholluar ngjizjen, trashjen e gjakut, që të qarkullojë lirshëm në vena, përdorim aspirinë. Po ashtu, për ndërtimin e vargut lypen qëmtime të fjalëzave, për ta shfaqur përfytyrimin, jo thjesht si një akt mekanik, si një foto pa ndjeshmëri, pa shtresime ngërthesash rrezatuese, pa kapje trajtash estetike për fisnikërimin e shpirtit, pa reflektime të së madhërishmes dhe të së bukurës.
Të madhërishmen, të bukurën nuk i kapim dot pa u identifikuar me to. Këto dukuri estetike, po nuk u qëmtuan mes variacionesh dialektike, në lëvizjet e kthesat e tyre të përhershme, në përballjet gllabëruese me të shëmtuarën, nuk dalin në pah vlerat e dobësitë e njeriut, ana e errët dhe shkëlqimi, flijimi i tij: për mua, për ty, për ne, për ata dhe ato. Pa parimin e identifikimit me filozofinë e jetës, nuk kapen assesi veçoritë e madhështisë e të thjeshtësisë së idealeve etike, kombëtare dhe estetike.
Mes antonimish të vrazhda të marrëdhënieve njerëzore, poeti kërkon, përzgjedh jo vetëm të butën, të brishtën ose anën gazmore… Mes trazimesh hyjnë si kategori të domosdoshme: urtia, guximi, forca e disiplinuar e durimit, që do t`i ruanin shpërthimet e agresivitetit çnjerëzor, paqen e lumturinë njerëzore për të gjithë. Grabitja dhe tjetërsimi i vlerave universale për etni të caktuara, për raca, popuj, kultura, tradita, fe prodhoi tërmete të katastrofave njerëzore… Përpjekjet dhe zhdukjet e etnive të tëra, e karakterizuan egërsinë e historisë, të cilën e shkruan “të fortët”, po ashtu të kanosur për zhbërje nga të dobëtit!
Në këto marrëdhënie, me vorbulla plojash të forta, të përndezjes së mendësisë pellazge-ilire, u gjend “Omiri” a Homeri i shpifur, “autori” i Luftës së Trojës.
Në vazhdën e këtij shtjellimi, le të më lejohet t`i jap shkas pyetjes, e cila i kapërcen caqet e këtij shqyrtimi: në cilën shkallë është ngjitur poezia shqipe sot? Aq sa kam arritur të depërtoj në të dukshmet e të padukshmet e poezisë sonë, ajo ndodhet ndërmjet kundërthëniesh të sasisë, përsëritjeve të dendura, kultivimit të paprerë, por risish të pakta dhe pasigurisë së post-modernes tek letrat e shqipes.
Të shumtët e poetëve tanë, qëmtimin poetik të shprehjes, që do të prodhonte drithërime, kontraste, antiteza, depërtime valore përfytyrimesh, ndjenja e mendime, nuk e kanë as forcën, as mençurinë e veshjes me ide, dhe as masën e tyre të baraspeshuar, pa lejuar ngufatje të imponuar prej retorikës.
Hysen Këqiku me një përvojë të paepur të shkrim-kërkimit, në këtë tip poezie të evokimit, siç shihet, nuk i hyn kërkimit të mëtejshëm për gjetje inventive… Andaj, poeti mjaftohet me renditje fytyrash, të subjekteve të tyre si lëndë e poezisë, pa mësyrë me çdo kusht cilësi depërtimesh të reja. Shëmbëlltyrat e adhuruara, ndonjëherë ia lëbyrin saktësinë e pamjes, për kostumet që do tu përshtateshin atyre, dhe depërtimeve të flladit e risive figurative.
Nuk janë të pakta poezitë për lëvruesit e shkrim-leximit, që poetit nuk i pengojnë për të formuluar ndërtime prozaike, për të sforcuar notën sociale për qëllime iluministe, të tilla si:
“ E fillove punën e mësuesit
Me një xhaketë të hollë…”
Spikatje mal brezash
Nga tridhjetë e dy poezi që ka libri “Me t`mbet pikë n `zemër”, në njëzet e pesë sosh, varianti i poezisë së dytë për poetin Qerim Arifi, e shton numrin nga njëzet e pesë në njëzet e gjashtë. Autori nëpërmjet një lirizmi dramatik, i ftoi një varg personazhesh dhe ua shtroi tryezën e vet të sinqertë, t`i spikaste e skaliste, t`ua shquante tiparet, vijëzimet njerëzore, prirjet dhe vlerat modeluese, drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi, ngaqë ca nga këto shëmbëlltyra i kishte miq, ndaj hyrja në botën e ngërthesat e tyre intime ishte e drejtpërdrejtë.
Po ashtu, vargjet e përkushtimit marrin ngjyrat e kontekstit, të rrethanës për t`ua pikturuar veçantitë, për t`i vijëzuar mësymjet, prirjet, shpirt-bardhësinë, të përbashkëtat e përfaqësimit… Sekush u brumos me tharmë për t`i dhënë shije mësymjes për liri, ndonjëri u bë dashnor i përjetshëm i ngjyrave të fjalës, për ta çliruar të vërtetën e thënies, dhe u ndëshkua prej censurës së “pluhurit të kuq”, por:
“Askush nuk mund t`i rrëzojë
ato mure librash të ngritura lart e më lart”
E pa thëna, pengu i të pathënës, ziente brenda shpirtrash për tu zbrazur “si mllef i kontrolluar”, por që doemos prirej drejt zbërthimesh protestuese e rebelimit, dhe shfaqjes së një arti të ndrydhur brenda censurës e vetë-censurës. Ndonjëra nga këto shëmbëlltyra, legalizoi guximin e vet për thyerje vargonjsh të diçkaje që simbolizonte censurë:
“Herët e pate kuptuar
ligjin e flluskës”
Por “çlirimi” i artit nuk ishte pa rreziqe, madje anarkike!…
Burimi i prejardhjes a provenienca e personazheve (po)etike e H. Këqikut, është e shkallëve dhe niveleve të ndryshme, të ngjitjes a mos ngjitjes në hierarkinë e hapësirës shoqërore të kombit. Frymëzimi i poetit nuk përfill hierarki. Poeti nuk mëtoi ndonjë rend për konfigurim hierarkik. Në optikën e frymëzimit shëmbëlltyrat mund të jenë të përmasave kombëtare, si Agim Ramadani, Ibrahim Rugova, por dhe “minorë”, si mësuesit e parë: Bafti Krasniqi, Mumin Kastrati, Lumnije Vokshi, Zeqir Nebi Jahiu…
Pikërisht kjo kategori pishtarësh “minorë”, iluministë, gatoi përqafimin e përfaqësimin e idealeve në përmasa të së madhërishmes; artikulimin e artit e të kapjes së majave artistike, si Nexhmije Pagarusha, prijatarë të urtisë, të qëndresës e të sakrificës enciklopedike, si: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Adem Jashari dhe mal-breza shkrim-qëmtuesish e çlirimtarësh tjerë.
Autori, H. Këqiku artin poetik nuk e sheh si qëllim të parimit “art për art.” Poezinë e vet e vuri në shërbim të kujtesës, të iluminizmit dhe të artit çlirimtar. Këto koncepte krijuese e përjashtojnë njëra-tjetrën. Por poezia është poezi, nuk i përket as konceptimit të parë, as konceptimit të dytë…
Tek ne, Lufta Çlirimtare, kësaj radhe e përkrahur drejtpërdrejtë nga faktorët e jashtëm, solli paqen për të gjithë, për viktimat dhe për xhelatët! Pa liri nuk do të kishte paqe, ndërsjellash pa paqe nuk do të kishte qetësi. Mirëpo, lirisë i duhet vënë “frerë.” ”Frerët” e lirisë janë ligjet e drejtimit, e shpëtimit nga keq-drejtimi, nga stërkeqa e pushtetit dhe anarkia. Shtet-bërja pa demokraci dhe demokracia pa ligjshmëri është shtet-zhbërje. Demokracia dhe liria janë simotra sinonimike… Drejtë-peshimi i dinjitetit kombëtar e njerëzor assesi mbahet pa sovranitetin e popullit. Vetëm populli sovran i ka përmasat e dhënies dhe të marrjes së mandatit të udhëheqjes e të qeverisjes, të ndëshkimit e të shpërblimit.
Sintaksa e iluminizmit poetik
Titulli i vëllimit me poezi i Hysen Këqikut ”Me t`mbet pikë n`zemër”, është shkëputur nga një varg i poezisë brenda thonjëzash për shkrimtarin Mexhit Mehmeti. Ndoshta kësaj natyre poezish ky titullim i shkon për shtati… Më tutje kultura kërkimore e poetit për kërkime e gjetje inventive, sikur shfaq shenja mos interesimi për depërtime qëmtuese, ose mjaftohet me kaq?
Si duket, pas një largësie kohore e gjeografike, poetin e ftoi malli dhe bëmat e miqve: të gjallët dhe ata në amshim, që mos t`i lërë ato bëma t`i zvetënojë grykësia e harresës. Te ky autor, vërehet qartë se përmes këtyre portreteve, dhe të tjerë të papërfshirë këtu, nëse jo drejtpërsëdrejti dhe me të gjithë ata, tërthoras i ka bashkë-ndjerë dhe kapërcyer sprovat e kthesave dramatike, nëmët, mallkimin e bekimin, kurthet e gjëmën e tyre… Nga thellësitë e unit tij njerëzor ishte shtytja e thellë, për t`i nënvizuar, së paku edhe kësisoj, brezave: dashurinë e djegur, dijen e gjuhën e mohuar e të paragjykuar, antikën tonë të përvetësuar, të cilën ende e mbajnë të mbërthyer me argumente të shpifur; tkurrjen, thurjen, shthurjen e gjeografisë së etnisë, përpjekjet e penguara për mëkimin e plagëve shekullore.
Jo vetëm historia dëshmon ose fsheh peshën e barrës së pushtuesve, goditjet e pandërprera mbi ne… Poezia në mënyrën e vet, me mjete të thjeshta, por tejet ngjeshur, përkufizoi fatin etnik, siç pohoi Ali Podrimja: ”Mbi ne çdo gjë ka ra/ edhe guri i hedhur në hava”, ose “Më kaloi jeta pa ia pa kulmin shtëpisë.”
Në larminë e motiveve, tema e brengës ekzistenciale e këtyre poezive të H. Këqikut, e zbrazjes së trevave shqiptare të Medvegjës, është zotëruese e një ane tjetër të diskursit poetik, e shqiptuar përmes anaforës shqetësuese dhe të një përemri të pacaktuar:
“Asnjë cicërimë bilbilash
Asnjë melodi baritore
Asnjë kumbonë ogiçi
Asnjë thirrje autoktone”
Sintaksa poetike e këtij vëllimi të sapo lexuar, krahas ndonjë artikulimi të paqartë, si ”Dal nga lagështia e lotit të lagur”, di të formulojë urti e ngërthesa të tilla, si:
“Më kanë shurdhuar gjinkallat
Kur nuk kishte bilbila”; mandej:
“Kush më përgjigjet për djepin tim në ankand”, dhe
“Lubia lubi / në Gjilanin plak / Demi notoi në gjak”, dhe tjera zbërthime të jetës sonë, të pasqyruara me vërtetësi poetike.
Si përmbyllje për qasjen time këtij libri, le të më lejohet pohimi: se Hysen Këqiku, pa dyshim, përvojën e shkrim-kërkimit e të shkrim-qëmtimit, do ta mbjellë e kultivojë në kopshtin e vet poetik, por dhe për lexuesit; duke ia lypur dhe veshur me kujdes kostumet më të bukura, për ta zbukuruar me metafora, simbole, epitete, përfytyrime, nuanca ngjyrash e kundërmime të këndshme.