Se cili do të zgjidhet ushtari më i mirë i Forcave të Sigurisë së Kosovës, do të kuptohet sot rreth orës 13:00, në një ceremoni që është organizuar nga Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Ceremonia do të mbahet në Amfiteatrin e Brigadës për Mbështetje Operacionale (BMO), në Kazermën “Adem Jashari” të FSK-së, në Prishtinë, duke filluar në ora 13.00 transmeton RTK.
Në ceremoninë e shpalljes së ushtarit më të mirë, do të marrin pjesë: ministri, Agim Çeku, zëvendësministrat: Muhamet Latifi, Bejtush Gashi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Rrahman Rama, komandantë të Brigadave, Batalioneve dhe të njësive të FSK-së, oficerë të lartë të FSK-së, të KFOR-it, si dhe ushtarë të FSK-së.
E për tu zgjedhur si ushtari më i mirë, kandidatët kanë kaluar një garë për tre ditë rresht në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), në Ferizaj, në të cilën garë kanë hyrë 22 pjesëtarë të të gjitha njësive të FSK-së.