Nëse nuk ka ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka shpallur dhe ka miratuar Rezultatet Përfundimtare të Raundit të Dytë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetar Komune, mund të bëhet menjëherë certifikimi i kandidatëve që fituan garën.
Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, ka thënë se nga ky moment të gjitha ata që duhet të ankohen kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tille brenda 24 orësh pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“KQZ do të presë 24 orë të shohë a ka ankesa në PZAP, nëse nuk ka ankesa brenda 24 orësh, atëherë KQZ do t’i certifikojë kryetarët të martën mbrëma”, ka thënë Daka. Në të kundërtën do të ndiqet procedura e ankesave shqyrtimit të tyre deri në përfundim të procedurave të ankimimit dhe vendimeve të PZAP-së, shkruan ndër tjerash Zeri.