Kundërshtari i radhës për Shqipërinë, Gjoergjia nuk është aspak i panjohur pasi në vitet e fundit jemi përballur shumë herë. Sfida e parë u luajt në Maltë në shkurt të vitit 1998 dhe u fitua 3-0 nga skuadra gjeorgjiane, e cila vijoi dominimin në përplasjet direkte me kuqezinjtë.
Të dyja përfaqësueset u shortuan në të njëjtin grup edhe në eliminatoret e Euro 2000, ku sërish përfaqësuesja kaukaziane doli fituese në përballjen e parë në Tbilisi, duke fituar 1-0, por në sfidën e kthimit kuqezinjtë triumfuan 2-1 duke shënuar suksesin e parë ndaj Gjeorgjisë.
Të dyja ekipet u përballën edhe në eliminatoret e Euro 2004-n.Në Tbilisi kuqezinjtë pësuan një humbje të thellë me rezultatin 3-0, por në Tiranë arritën të hakmerren duke fituar 3-1.
Shqipëria për koincidencë e peshkoi Gjeorgjinë edhe në fushatën eliminatore të Botërorit 2006. Gjeorgjianët fituan 2-0 në fushën e tyre, ndërsa kuqezinjtë triumfuan 3-2 në Tiranë.
Pas këtij momenti, Shqipëria ka zhvilluar edhe katër ndeshje miqësore me të njëjtin kundërshtar. Në 2006 dhe 2009 sfidat e luajtura në Tiranë përfunduan në barazim 0-0 dhe 1-1, ndërsa në miqësoren e 2012, që shënonte debutimin e De Biasit në krye të Shqipërisë, Gjeorgjia fitoi 2-1 në Tbilisi.
Me të njëjtin rezultat gjeorgjianët fituan edhe miqësoren e fundit të luajtur një vit më vonë në Tiranë.
Statistikat tregojnë një superioritet të ndjeshëm të Gjeorgjisë në përplasjet me Shqipërinë. Në 13 ndeshje të zhvilluara gjithsej, Gjeorgjia ka koleksionuar 8 fitore, ndërsa Shqipëria ka mundur të fitojë vetëm tri herë. Vetëm dy sfida kanë përfunduar në barazim. Rrjedhimisht edhe golaverazhi i përgjithshëm është na favor të gjeorgjianëve 21-11.