Kosova kundër Omanit luan miqësoren e katërtë nën ombrellën e FIFA-së. Stadiumi i qytetit pritet që sot të jetë i stërmbushur më shikues, pasi që për herë të parë Kosova luan ndeshje ndërkombëtare në kryeqytet. Të dy trajnerët kanë premtuar se shikuesit që do të jenë të pranishëm në stadiumin e kryeqytetit, do të kënaqen me lojë të mirë që do të prodhojnë futbollistët e të dy skuadrave.
Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaku, ka thënë se ndeshja me Omanin do të jetë shumë e rëndësishme për të mësuar shumë çka për të ardhmen, duke qenë se rruga e Kosovës në futboll veç sa ka filluar.
“Rruga jonë sapo ka filluar, kjo është loja e katër internacionale dhe vet interesi im kur kam hyrë për t’i analizuar lojtarët kam parë që disa prej lojtarëve të tyre kanë përmbi njëqind lojë. Ne kemi lojën e katër, por kjo ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin tonë, për idenë e lojës sonë, dhe kur e ke një kundërshtar shumë të mirë, atëherë ta jep edhe mundësinë për tu zhvilluar, e për të mësuar gjëra të reja për të ardhmen”, tha Bunjaku.
E, trajneri i Përfaqësueses së Omanit, Paul Le Guen, është shprehur i kënaqur që ka ardhur në Kosovë për të zhvilluar ndeshje miqësore me Kosovën, por njëkohësisht edhe për ta vizituar këtë vend, që nuk e kishin parë më herët.
“Kemi luajtur disa ditë më herët kundër Irlandës, ka qenë një lojë e rënd dhe nesër pres që loja të jetë e njëjtë me shpirt. Është ky një rast i mirë për t’i përmirësuar lojërat në të ardhmen. E kemi një turne në nëntor dhe i kemi edhe dy muaj për tu përgatitur dhe është e rëndësishme që të përgatitemi për atë turne. Mënyra më e mirë për tu përmirësuar është të luajmë lojë të mira dhe njëra prej tyre do të ndodh nesër”, tha Le Guen.
Kujtojmë se Kosova deri tani ka zhvilluar tri ndeshje miqësore, ka dy humbje kundër Turqisë e Senegalit si dhe ka barazuar me Haitin.
Miqësorja mes Kosovës dhe Omanit nis në orë 16:00.
http://www.rtklive.com/index.php?id=4&r=3704