“I vetëm në banesë” një komedi romantike, me autor Avni Shkodra e në regji të Natyrë Kallaba, e me kastën e aktorëve: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa-Baftiu, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa Hasani, do të vije sonte në formatin online- livestream, për të gjithë adhuruesit e teatrit, bëjnë të ditur drejtuesit e këtij institucioni.
“Sonte, në ora 21:00 në formatin online- livestream vjen shfaqja, komedia fantastike “I vetëm në banesë” nga Avni Shkodra, regjia: Natyrë Kallaba. Shfaqja është prodhim i Teatrit të Gjilanit”, thuhet në njoftim.
Për shfaqjen
Artani është një skenarist serialesh, që mbetet i vetëm në banesë, pasi Blerina, gruaja e tij, shkon në një seminar. Kështu, ai fillon të shkruajë skenarin e tij të radhës duke i krijuar personazhet, që të gjitha femra, por që ato fillojnë t’i shfaqen në skenë, natyrisht ashtu siç i konceptonte ai në skenarin që shkruante.
Ato gra, që Artani i sillte në banesë, fshehtas nënës, e cila e vizitonte shpesh edhe në imagjinatën e tij, e përballin këtë skenarist me një sfidë, në mes të dëshirës për flirtim dhe të qëndruarit besnik ndaj gruas së tij.
Tutje, ky skenarist serialesh humb sensin e realitetit, duke e komplikuar edhe më shumë situatën, pasi karakteret që i vinin në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sillnin atë, në situata emocionale, ku si përfundim përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh.
Postierja numër 69, shërbëtorja, psikologja, vaska, abazhurët, pasqyrat, telefoni, laptopi, picat, xhointi… audiencës i servohen me një qasje konceptuale bashkëkohore, të përcjella me koreografi, lojë dhe këndim.
Shfaqja: “I vetëm në banesë” – prodhim i Teatrit të Gjilanit
Autor: Avni Shkodra
Regjia: Natyrë Kallaba
Luajnë: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa-Baftiu, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa Hasani.
Skenografia dhe kostumet: Bekim Korça.
Muzika: Florim Gagica
Dizajni i dritave: Fatmir Halili