Finalja e madhe Gjermani – Argjentinë luhet sot duke filluar nga ora 21:00 në stadiumin Marakana. Të dy trajnerët e skuadrave e presin rezultatin pozitiv, ndonëse e pranojnë se u duhet një lojë perfekte për të arritur këtë synim sepse në finale nuk ka favorit.
Trajneri i Argjetninës Alejandro Sabella ka thënë se ekipi i tij duhet të luajë një ndeshje perfekte ndaj Gjermanisë në finale në mënyrë që të fitojë trofeun e Kupës së Botës.
“Të bëhemi kampionë, është vërtet diçka e rëndësishme për një vend si i yni, por edhe për futbollistët që janë sakrifikuar shumë për të arritur deri këtu. Të bëhemi kampionë në Brazil do të thotë një krenari akoma më e madhe. Kjo është një ndeshje ku nuk ka nevojë t’i motivosh lojtarët, pasi motivohen vetë. Precedentët me Gjermaninë? Jemi një skuadër shumë më e mbuluar se 4 vjet më parë. Me Bilardon flasim gjithmonë për rëndësinë e mesfushës. Na duhet ndeshja perfekte, duhet të zëmë hapësirat dhe të mos e humbasim topin aty ku nuk duhet rrezikuar”, ka deklaruar Sabella.
Nga naa tjetër Joachim Low, nga Kombëtarja Gjermane thotë se për dallim nga ndeshja gjysmëfinale, gjermanët në finale kundër Argjentinës mund të kenë shumë probleme.
“Në një finale Botërori nuk ka favoritë. Fitorja prej 7:1 ndaj Brazilit nuk ka asnjë rëndësi”, ka thënë Low. Tutje përzgjedhësi gjerman bën të ditur se gjithçka ka nisur nga zero për këtë finale dhe ka paralajmëruar futbollistët e tij që të jenë të kujdesshëm nga Argjentina, pasi përveç sulmit, sipas tij, kjo skuadër ka edhe një mbrojtje jashtëzakonisht të fortë. “Argjentinasit janë shumë të rrezikshëm, kanë fituar me diferencë të ngushtë disa sfida, 1:0, 2:1, me penallti, duke pësuar shumë pak gola. Kanë një mbrojtje të shkëlqyer dhe në përgjithësi janë një formacion shumë agresiv. Në këtë përballje na presin shumë, por shumë më tepër sfida në krahasim me gjysmëfinalen”, ka thënë Low