Somnambul
Mehmetali Rexhepi
sytë
liqe që derdhen diku
valëzojnë të pandara
kataraktet e gjumit
ia çeli tablonë hija
mes ëndrrës e zhgjëndrrës
hapësirë pa sinorë
dhe i zuri krahun
marrëzia epshore
i përhumbur hyri
doli princor
i njëjti tualet
i pallatit hamshor
ku ulej perandori dhe horri
zbritej i pudrosuri
ngjitej marroqi
*
në pamjet e tija
ëndrra dhe zhgjëndrra
te njëra e tjetra hija
kishin humbur udhë
nuk gjendej dot ajo pusullë
ndonëse e njëjta udhë
të njëjtat kontura
gjithçka e papaguar
hijet lakuar
zmadhuar e zvogëluar
*
rrezet dhe uraganet e teshtimave
të avujve të zier
valoren e bredhjes
e kishin hedhur të dekompozuar
në majën e mllefit ekologjik
*
as modern as antik
*
si ma kanë lyer maninë
me qeshje mjaltore
(m)iku sakaq e shlyer
mandej i fyer
e ftuakan në tjera labirinte
i nxjerrkan spirale shkaku
në qindra lakore
akuzë gjarpërore gjaku
*
njëtrajtshëm lehtësisht
saktësisht ngarendka
torzo e jetës e joshka
kokën e autorësisë së mohuar
udhëve të fshira
relievit djallëzor
duke e bartur nën sqetull
për të pohuar
se ja ku është mbetja
vetëm në një sfond tjetër
që e kishte jeta
somnambul
Gjilan, shtator 2016