Njohësi i së drejtës kushtetuese, profesori Riza Smaka, e ka quajtur të panevojshme kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i sqaruar dy nene të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me atë se kush duhet të mandatohet për formimin e Qeverisë.
Sipas tij, dispozitat e Kushtetutës së Kosovës janë shumë të qarta dhe nuk krijojnë kurrfarë dileme. “Presidentja nuk ka pasur nevojë të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese sepse dispozitat e Kushtetutës janë të qarta. Edhe ajo nga pozicioni i presidentes është dashur ta përfillë nenin 95, paragrafin e parë, sepse është dispozitë e qartë, e kuptueshme, e plotë dhe nuk krijon kurrfarë dileme. Por, ndoshta këtë e ka bërë për qëllime taktike, për t’u mbuluar me një opinion të Gjykatës Kushtetuese, e cila është në influenca politike”, ka thënë Smaka për “Epokën e re”.
Ai ka vlerësuar se kërkesa e Jahjagës, përveçse është e panevojshme, është edhe e ngutshme. Në këtë kontekst, Smaka ka thënë se presidentja është dashur t’i presë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit.
“Edhe pse s’ka pasur nevojë ta bëjë këtë kërkesë, përveç kësaj e ka bërë një hap para kohe, sepse kjo kërkesë është dashur të bëhet pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit”, ka thënë Smaka.
Ai ka thënë se e drejta për ta propozuar kandidatin për kryeministër i takon koalicionit i cili do ta siguronte shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë në Kuvend. Në këtë kontekst, ai ka thënë se presidentja është dashur vetëm t’i ushtrojë kompetencat e saj duke iu referuar neneve përkatëse. “Neni 84, paragrafi 14, është shumë i qartë, i cili thotë: ‘Presidentja e cakton mandatarin për formimin e qeverisë pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën në Kuvend’.
Çka ka pasur nevojë këtu për të kërkuar sqarim?!”, është shprehur Smaka.