Në ndeshjen derbi të xhiros së 14-të mes Kf.Gjilani dhe Kf.Llapi, e cila rezultoi me fitore për Gjilanin me rezultat 2:0, përveç lojës dinamike me përplot raste dinamizëm pati edhe jashtë fushës së gjelbër.
Fillimisht nga tifozët e shumtë në stadium, “Skifterat” të cilët nuk u ndalën së brohorituri përgjatë tërë lojës.
Tifozët “Skifterat” në numër të madh ishin të zëshëm gjatë gjithë takimit, duke i përkrahur lojtarët dhe ekipin e tyre, i cili ishte në epërsi nga minuta e 17-të.
Me të filluar pjesa e dytë, “Skifterat”shpalosën pankartën me mesazh dedikuar dënimeve të shqiptarëve në rastin e Kumanovës, për çka me kërkesë të gjyqtarit ajo u tërhoq menjëherë.
Në mbishkrimin e shpalosur shkruante: “Liria e tradhtarëve, burgu i çlirimtarëve”, ndërsa përveç tij, të kuqtë e Gjilanit valvitën edhe flamuj kombëtar e banerin në përkrahje të Naser Bajraliut (Bek Bajra), i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin e gjykimit të Grupit Kumanova në Maqedoni, transmeton 2LONLINE.
Ndërsa, si rëndom hapësira të mjaftueshme nuk kishte për gazetarët e interesuar që përcollën këtë ndeshje, derbi të kësaj xhiroje.
Interesimi për ta parë lojën nuk mungoi as jashtë stadiumit, pasi dhjetëra qytetarë ishin lokalizuar në ndërtesën e Shkollës së Muzikës dhe të Arteve, e cila shpeshherë shfrytëzohet si “tribinë ideale” për ndeshjet futbollistike, pasi nga ajo fokusohet pamja qendër e stadiumit.
Edhe në këtë ndeshje ishin të pranishëm pjesëtarët e Policisë së Kosovës, si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit. /Elife Sherifi/