(2L ONLINE) – Simpatizuesit e KF Gjilanit, “Skifterat” duket se e kanë të pamundur të harrojnë ndeshjen e barazhit në të cilën skuadra e tyre Gjilanit humbi ndaj asaj të Ferronikelit. Sipas tyre, ‘’Bilbili’’ i ndeshjes Fatmir Tahiri u pa si fajtori kryesor që pse skuadra gjilanase tani nuk bën gara në elitë pasi gjykimi i tij ishte tendencioz.
Sipas “Skifterave” një premtim i bërë pas përfundimit të ndeshjes nga Fatmir Tahiri, gjykuesi i ndeshjes së barazhit ndërmjet Gjilanit dhe Ferronikelit është thyer. Gjyqtari kishte premtuar që do ta lerë referimin në qoftë se pamjet filmike e dëshmojnë se ai e ka dëmtuar skuadrën e Gjilanit. E kur kjo ndodhi ai vendosi të tërhiqej nga zeja e referimit. Mirëpo, siç duket ai nuk e mbajti fjalën pasi iu është rikthyer përsëri profesionit të tij duke e drejtuar një ndeshje në Ligën e Parë të Kosovës atë ndërmjet Lepencit dhe Lirisë.
Kjo i ka revoltuar tifozët e Klubit Futbollistik ‘’Gjilani’’ të cilët kanë reaguar menjëherë përmes një banderole të shpalosur në ndeshjen që Gjilani e zhvilloi me Dukagjinin.
I kontaktuar nga Portali 2L ONLINE, kryetari i tifozëve “Skifterat”, Valon Selimi tha se grupimi i tij nuk mund të pajtohet assesi me këtë padrejtësi që iu është bërë skuadrës së tyre të zemrës.
“Ne jemi dëmtuar si një qytet i tërë dhe askush nuk ka reaguar. Ai njeri (Fatmir Tahiri), ka premtuar se nëse pamjet televizive shfaqin imazhe në të cilat është dëmtuar Gjilani do ta lerë referimin. Mirëpo, si duket ai e la vetëm për sezonin e verës pasi kishte për të shkuar në deti ndërkohë tani që ka filluar sezona e re iu është rikthyer sërish punës për ti dëmtuar të tjerë. Kjo nuk është në rregull se çfarë po ngjan në futbollin tonë, akterët të cilët mundohen ta dëmtojnë atë duhen të dënohen njëherë e përgjithmonë sepse kështu po i humbasim edhe shikuesit në stadium”, tha Selimi.
Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/