Java e 18-të sjellë derbin më të zjarrtë lokal në futbollin kosovar, atë që do zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, mes Kf.Gjilani, si vendas dhe Kf.Drita, e cila do të jetë mysafire në këtë përballje.
Tifozët e të dyja taboreve, “Skifterat” në njërën anë dhe “Intelektualët”, në anën tjetër, kanë bërë të gjitha përgatitjet, ndërsa festa ka filluar tash e dy javë.
‘Skifterat’ ishin grumbulluar në shkallët e stadiumit, ku edhe kanë shfaqur një pjesë të përgatitjeve dhe atmosferës, e cila sipas tyre do të dyfishohet të dielën.
Ndërsa, ‘Intelektualët’ u mblodhën sonte në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta”, në Gjilan, ku grumbull i madh tifozësh bardhë e kaltër ishin prezent, gjersa po diskutonin për show-un e nesërmë, transmeton 2LONLINE.
Këto ditë, “Bardhë e Kaltër-it” e Kf.Dritës kanë publikuar një video interesante, frymëzuese dhe inspiruese, për ta vazhduar dashurinë ndaj klubit të zemrës.
Përndryshe, nesër të gjitha rrugët e qytetit kanë vetëm një destinacion dhe kjo ndodh rëndom në këtë qytet, kur në stadium zbarkojnë dy klubet e qytetit.
Të kuqtë dhe të kaltrit më të zëshëm se kurrë, rivalitet i madh për pozitën tabelare dhe mbi të gjitha për të marrë epitetin e triumfuesit.
Tifozët e derbit të njohur lokal në gjithë Kosovën dhe jo vetëm, pritet të shkëlqejnë me koreografi, atmosferë e adrenalinë.
Aktualisht, Kf.Drita është në pozitën e 3-të tabelare me 29 pikë, ndërsa Kf.Gjilani në vendin e 8-të me 25 pikë.
Kjo fitore është e rëndësishme për të dyja klubet, meqë lufta për titull po zhvillohet në mes shumë skuadrash, kjo ngaqë diferenca në pikë nuk e jep asnjë klub si favorit absolut. /Elife Sherifi/