Është zhvilluar java e 23-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll dhe dy klubet gjilanase, Drita dhe Gjilani kanë zhvilluar ndeshjet në Gjilan.
Pas një pauze gati tri mujore për shkak të pandemisë botërore, COVID -19, futbolli kosovar është rikthyer, por në kushte të kufizuara dhe pa shikues.
Por, kjo nuk i ka penguar tifozët gjilanas, fillimisht “Intelektualët” të shtunën, pastaj “Skifterat” të dielën që ta improvizojnë një tribinë, për t’i përkrahur klubet e zemrës, transmeton 2LONLINE.com. Shkolla e Artit Pamor, e cila është në përfundim e sipër është mbushur plot dhe pati grumbullim të tifozëve, edhe përkundër thirrjeve për mbrojtje nga virusi COVID -19.
“Skifterat” e SC Gjilanit shpalosën flamurin kombëtar, ndërsa “Intelektualët” në tribina kishin vendosur mesazhin “Gjithmonë mas teje se vet kurrë nuk je”.
Drita ka triumfuar dje ndaj Flamurtarit me rezultat të ngushtë 1:0 në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e qytetit në Gjilan, derisa sot SC Gjilani po në këtë stadium ka barazuar me Trepcën 89’ (1:1). /2LONLINE.com/