Mbi 30 mijë maturantë të të gjitha shkollave të mesme të Republikës së Kosovës, i janë nënshtruar të mërkurën testit të maturës. E, këtij procesi, sot po i nënshtrohen edhe maturantët gjilanas.
Por, sipas Murat Morinës, mësimdhënës në Gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti”, jo gjithçka po shkon në rregull, pasi, siç thotë ai, duket se MASHT-i nuk po arrin të bëjë organizimin e mirëfilltë dhe se po vazhdojnë parregullsitë.
Ai ka përmendur me këtë rast se, derisa po mbahej testimi, detyrat e testit të maturës nga lënda e matematikës, janë nxjerrë jashtë, duke bërë kështu që të dëmtohen nxënësit që vërtetë mësojnë dhe i vështrohen testimit në bazë të njohurive që i kanë, e përfitues janë ata që kopjojnë.
Morina ka thënë për 2LONLINE, se derisa mbahej testimi, atij veç se i kanë rënë në dorë detyrat e testit, nga lënda e matematikës, dhe kjo mundëson që nga të papërgjegjshmit ato detyra të zgjidhen dhe t’u kthehen, në forma të ndryshme (përmes telefonave) brenda nxënësve, të prirë për kopjim, duke e zhvlerësuar kështu këtë proces.
Morina ka thënë se në këtë mënyrë ky proces me këto parregullsi nuk ka legjitimitet, i dëmton nxënësit e mirë që kanë mësuar dhe punojnë me forca të veta, por mund të gabojnë në ndonjë detyrë, dhe i favorizon nxënësit e dobët por që kopjojnë, duke bërë që ky proces mos të jetë real.
Sipas tij, nga keqbërësit, detyrat e matematikës komplet të grupit B janë nxjerrë jashtë ndërsa një pjesë edhe e grupit A. Në këtë mënyrë po tentohet që të rritet edhe suksesi i këtij testi, në mënyrë të parregullt, veçse për ta shënuar si sukses.
Ai tha se nga vet MASHT-i ka fjalë të mëdha për ndalesë të mësimdhënësve, që lejojnë kopjimin, për të mos i lejuar të jenë administratorë, në ndërkohë pikërisht aty dërgojnë njerëz të papërgjegjshëm, ndërsa, ata mësimdhënës që janë parimor dhe nuk lejojnë me asnjë kusht që nxënësit të kopjojnë, ata më as nuk po i zgjedhin për të qenë administrator, për më tepër po vlerëson si pengesë.
Morina nuk mohon se këtu gisht ka edhe politika, pasi sipas tij, dëshirohet të arrihen rezultatet sa më të larta, pa zgjedhur metodën, pra duke përfshirë edhe parregullsitë, vetëm e vetëm ta arsyetojnë suksesin e fryrë në fundvit.
Ai mori si shembull disa shkolla të Gjilanit, ku mesatarja e suksesit është mbi katër e besa në disa shkolla edhe i shkëlqyeshëm, e që sipas tij nuk është real. Ndërkohë që, sipas Morinës ndaj mësimdhënësve që i lënë nxënësit e dobët në provim bëhet presion i madh që të mos e bëjnë një gjë të tillë.
Mbetet të shihet se cili do të jetë rezultati i maturantëve në këtë test, ndërkohë që pritet të deklarohen edhe institucionet përkatëse të komunës mbi ecurinë e këtij procesi.