Nuk kanë kaluar as edhe dy javë që nga shkrimi im i fundit, “Shuttle” Diplomacia që po zëvendësohet më “Twitter” Diplomacinë, në të cilin kisha paralajmëruar se ky lloj i diplomacisë moderne që po fuqizohet nga Trump dhe lojalistë të tij në Washington, ishte në një far mënyre “sport i rendë” për politikën kosovare.
Nga: Faton Bislimi
Dhe, sot, skandali me “fake news” të njohjës së shtetësisë së Kosovës nga Xhamajka, më shumë sesa e vërteton këtë. Them “fake news” pasi që vet Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Tregëtisë e Xhamajkas, znj. Kamina J. Smith, ka thenë se Xhamajka nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në një përgjigje publike në Twitter ndaj postimit të Presidentit Thaci.
Ngutia e Presidentit Thaci që të marrë përsipër mertitat e njohjes më të re të vendit tone nga Xhamajka, dhe falëmnderimi i tij publik përmes Twitter është rasti me eklatant i dështimit të të bërit diplomaci përmes Twitter-it nga pala kosovare. Henry Kissinger, ndër “baballarët” e diplomacisë botërore, ish-Sekretar Shteti i SHBAve, dhe ish-student i Harvardit, me kënaqësi do t’ia rikujtonte Thacit se “diplomacia është art i përmbajtjes…”.
Në rastin më të mire, për një president me përgjegjësi, ky skandal do të duhej të ishte arsyeje e padiskutueshme për të kërkuar përgjegjësi deri në shkarkim nga secili diplomat apo vartës i tij që ia ka servuar atij këtë lajm të rremë. Kurse, ne rastin me të keq, vet Presidenti do të duhej të kërkonte falje publike për këtë marre që ia ka sjellë institucionit që ai drejton dhe krejt vendit, por edhe të dorëhiqej nëse qëllimisht ka ekzagjëruar ndonjë indikacion diplomatik që ndoshta do të mund të sjellte njohjen e vërtetë nga Xhamajka në një të ardhme të afërt.
Ky skandal nuk duhet të kalohet si gafë e përditshmërisë së politikanëve e diplomatëve tanë të papërgjegjshëm. Realisht, ky skandal tregon se sa i dështuar deri në palcë është shërbimi ynë i jashtëm. Twitter diplomacia që po e marron vendin është hajgare e madhe dhe e pafalëshme, dhe duhet të ndalohet menjëherë.
Ministri ynë i ri i Punëve të Jashtme, z. Glauk Konjufca, sot ka para vetës një mision tejet kompleks dhe skajshmërisht të rendësishëm për shtetësinë e vendit. Ai ka barrën e reformimit total dhe deri në dhimbje të shërbimit tone të jashtëm. Jam i lumtur që ai këtë betejë tanimë duket se e ka filluar me vendimin e fundit për shkarkimin e 14 konsujve të emëruar në kundërshtim me ligjin në fuqi nga qeveria paraprake në detyrë. Por, atij do t’i duhet përkrahje madhore nga të dy partnerët e koalicionit, LDK e LVV, por edhe kuadro të mirëfillta që punojnë në ekip me të, për të realizuar misionin historik që ka para vete në drejtim të reformimit substancial që duhet ndërmarrë në këtë dikaster qeveritar.
Politika e jashtme e Kosovës nuk është dashtë kurrë të jetë mjet i rehatimit të të afërmeve të politikanëve dhe të familjarëve e activistëve bashkëpartiakë të udhëheqësve të këtij dikasteri. Por, pasi që ne nuk mund ta kthejmë kohën mbrapa, të paktën mund të mesojmë nga gabimet e së shkuarës dhe të fokusohemi me punë e dinjitet të sinqertë në arritjen e sukseseve në të ardhmen.
Sukseset e diplomacisë sonë do të vijnë dhe do të mirëpriten nga secili vetëm atëherë kur në shërbimin tone diplomatik ne angazhojmë djemë e vajza të reja të Kosovës që janë shkolluar e arsimuar në fushën përkatëse, kryesisht jashtë vendit, e vecanërisht në ato vendet ku mandej këta ish-shkollarë do të mund të luanin rolin e diplomatit të suksesshëm për Kosovën. Nuk mund të presim diplomaci të përgjegjëshme e të suksesshme nga njerzë që shërbejnë nëpër poste diplomatike e konsullore në vende të ndryshme e nuk e njohin as gjuhën e atij vendi, e shpeshëherë dhe fatkeqësisht, as anglishtën si gjuhë globale e komunikimit diplomatik.
Kosova nuk e ka luksin që në shërbimin e vet diplomatik të rehatojë njerzë për nder e as për priviliegje, kushdo qofshin ata. Kosova e ka domosdoshmërinë që shërbimin diplomatik ta kthejë në mjet të fuqishëm, të suksesshëm, dhe mbi të gjitha të besueshëm e të përgjegjshëm të ndërimit të marrëdhënieve të veta ndërkombëtare dhe të sendërtimit të imazhit të vet në botë. Vetëm atëherë, nuk do të kemi më “fake news” si ky skandali i fundit, dhe vetëm atëherë, nuk do të na duhet të ulim kokën për shkak të skandaleve si ky! Kokëlart e ballëhapur, Kosovën e bëjnë profesionistët e fushës dhe assesi aparatcikët politikë.
/Faton Bislimi është anëtar i Komitetit Këshillues Strategjik për Diplomacinë Qytetare pranë German Marshall Fund të SHBA-ve në Washington, DC, si dhe anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtërove të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në New York. Ka qenë kandidat i LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare./