Manifestimi Rajonal I Poezisë, “Trekëndëshi Poetik i Paqes”, që mbahet rregullisht në qershor dhe se këtë herë është pritur të mbahet edicioni i tetë, është shtyrë nga organizatori, në mungesë të përkrahjes institucionale.
Këtë e ka bërë të ditur Ars Clubit “Beqir Musliu”, përmes një njoftimi, duke bërë me dije se “Trekëndëshi poetik i paqes” momentalisht është shtyrë deri kah fundi i muajit gusht.
“Për dijeninë e poetëve dhe artdashësve, Manifestimi rajonal i poezisë, Trekëndëshi poetik i paqes”, edicioni i tetë 2018, shtyhet deri kah fundi i muajit gusht, nga shkaku se institucionet mbështetëse të kulturës, si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel lokal, nuk janë përgjigjur me kohë rreth mbështetjes së tyre financiare, sipas projektit letrar që ua ka drejtuar me kohë, Ars Clubi “Beqir Musliu””, thuhet në njoftimin e organizatorit, për këtë çështje.
Ja njoftim i plotë:
“TREKËNDËSHI POETIK I PAQES” SHTYHET DERI KAH FUNDI I GUSHTIT
Për dijeninë e poetëve dhe artdashësve, Manifestimi rajonal i poezisë, Trekëndëshi poetik i paqes”, edicioni i tetë 2018, shtyhet deri kah fundi i muajit gusht, nga shkaku se institucionet mbështetëse të kulturës, si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel lokal, nuk janë përgjigjur me kohë rreth mbështetjes së tyre financiare, sipas projektit letrar që ua ka drejtuar me kohë, Ars Clubi “Beqir Musliu”.
Në fakt, MKRS-ja, me një vonesë të konsideruar, ka publikuar vetëm Listën e projekteve të kulturës, të cilat do të mbështeten këtë vit dhe, sipas njoftimeve nga Departamenti i Kulturës i kësaj Ministrie, mbështetja financiare është nën minimalen e paraparë dhe nuk mundëson mbarëvbajtje të mjaftueshme të këtij Manifestimi në të cilin marrin pjesë si rëndom, krijuesit e pesë shteteve të Ballkanit. Ndërsa Komuna e Gjilanit, si vend nikoqir i këtij Manifestimi, ende nuk është deklaruar për projeketet kulturore të këtij viti.
Ars Clubi “Beqir Musliu”, si organizator i këtij Manifestimi, detyrohet ta shtyjë për muajin gusht edicionin e tetë me radhë, me shpresë se deri atë kohë do të krijohen kushte të mira për Organizimin e “Trekëndëshit poetik të paqes’, manifestim tashmë tradicional i poezisë në brezin kufitar Kosovë – Serbi – Maqedoni, i cili mbahet rregullisht nga viti 2011 për nder të 12 Qershorit – Ditës së Lirisë për Kosovën.
Shpresojmë që poetët dhe artdashësit të na mirëkuptojnë kurse institucionet tona të tregohen më të përgjegjshme në mbështetjen e projekteve të kulturës që janë begati jona dhe interes i pakontestuar i publikut .