Pa arritjen e ndonjë marrëveshje ka përfunduar takimi tre orësh i zhvilluar në Ambasadën Amerikane në Prishtinë në mes liderëve politikë të vendit lidhur me themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.
Lideri i PDK-së njëherit kryeministër i vendit Hashim Thaçi pas takimit tha se do të vazhdojnë edhe më tej diskutimet për çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe për zgjedhjet e përgjithshme.
“Ky ishte një diskutim shumë konstruktiv dhe korrekt dhe orientimisht jemi që të shkohet të diskutohet edhe në ditët e ardhshme që të votohet për Forcat e Armatosura të Kosovës, duke mos e kushtëzuar asnjë parti njëra-tjetrën me çështje që janë diskutuar ditëve të kaluara”.
“Jemi dakorduar që të takohemi në ditët e ardhshme që përsëri të diskutojmë për kohën e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa natyrisht të shkojmë me një veprim të koordinuar të spektrit politik kosovar edhe për periudhën kohore të organizimit të zgjedhjeve, për formën dhe mënyrën, në mënyrë që të jetë një proces i lirë, fer, demokratik, me vëzhgim edhe amerikan edhe evropian, të fitojmë të gjithë”, u shpreh Thaçi.
Nikoqire e këtij takimi ishte ambasadorja Tracey Ann Jacobson, kurse të pranishëm ishin lideri i PDK-së Hashim Thaçi, ai i LDK-së, Isa Mustafa, i AAK-së, Ramush Haradinaj e liderë të tjerë partish, përveç liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti. Në takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zbogar.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në seancën e 5 majit, ka në rend dite çështjen e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.