(2LONLINE) – Drejtues të Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorava”, kanë njoftuar për situatën e vështirë në të cilën ndodhet qyteti i Gjilanit aktualisht, sidomos pas kësaj periudhe pa reshje.
Mumin Morina, drejtor teknik, në KRU “Hidromorava”, ka thënë se aktualisht niveli i ujit në liqenin e Përlepnicës që njëherësh është edhe burimi kryesor i furnizimit me ujë për qytetin ka rënë në 14.90 m nga 30.30 m sa është niveli maksimal i liqenit te Perlepnicës.
‘Ky nivel është i njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por në fillim të viti të kaluar ka pasur reshje duke e zbutur problemin në masë të madhe. Edhe këtë vit, shpresa e vetme janë reshjet të cilat mund ta zbusin problemin, në të kundërtën nëse kemi këtë gjendje pa të reshura atëherë situata mund të përkeqësohet edhe më shumë ngase duke u ulur niveli edhe më shumëmund të paraqiten probleme serioze në trajtimin e ujit i cili edhe tani po realizohet me vështirësi të mëdha”, ka thënë Morina.
Ai tha se 9 metrat e fundit të akumulacionin teknikisht nuk mund te përdoren për shkak të kualitetit të tij në fundin e liqenit dhe për këtë arsye ky vëllim i mbetur ndryshe njihet edhe si vëllim i vdekur i akumulacionit, e niveli i mbetur i ujit për shfrytëzim aktualisht është 5.9 m.
“Duke u bazuar në faktin se në liqe kemi një ulje afërsisht 10 cm në ditë atëherë kjo sasi e ujit për Gjilanin do të jetë në dispozicion për me pak se dy muaj kuptohet për një periudhe pa të reshura”, ka thënë Morina.
Sipas tij, edhe në pikat të tjera të prodhimit të ujit përfshirë edhe dy qytetet tjera Viti dhe Kamenicë, sasia e ujit është zvogëluar dhe për këtë arsye kompania shumë shpejt mund të fillojë me masa të rrepta të reduktimeve me qëllim të kapërcimit të situatës. “Përkundër kësaj gjendje furnizimi me ujë është i mirë pa probleme të mëdha me përjashtim të pikave të larta të qytetit por situata mund të ndryshojë për të keq nëse nuk kemi të reshura sidomos gjatë dy muajve të parë të vitit”, thotë Morina..
Ai tha se për momentin, janë marr disa masa preventive në uljen në masë të madhe të ujit të prodhuar gjatë natës sidomos nga Fabrika në Përlepniceë duke e evituar një ulje edhe më të shpejt të nivelit të ujit.
“Është me rëndësi që qytetarët për këtë periudhë të kenë më shumë mirëkuptim në shpenzimin e ujit sidomos për ata të cilët e keqpërdorin ujit dhe ata të cilët janë të kyçur ilegalisht në sistemin e ujësjellësit. Po ashtu është shumë me rëndësi që uji i përdorur të paguhet ngase kompania përkundër vështirësive të mëdha që po përballët me kapacitete të ujit, ajo ka probleme edhe me mungesë të inkasimit për ujin e shpenzuar”, ka thënë Mumin Morina, drejtor teknik, në KRU “Hidromorava”. / 2lonline/