Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, priti sot në takim kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamed Suliqi dhe kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit Topanicë, Mumin Zubaku.
Gjatë takimit, kryetari Kastrati ka nënshkruar marrëveshje me përfaqësuesin e Kompanisë “Hidromorava” dhe përfaqësuesin e Bashkësisë Lokale të fshatit Topanicë, për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit në këtë fshat.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që sistemi i rrjetit të ujësjellësit për fshatin Topanicë, të vihet nën menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”.
Përfaqësuesi i kompanisë “Hidromorava”, Muhamed Suliqi tha se kanë përvojë në këtë drejtim dhe se e kanë rritur numrin e përgjegjësve që do i përcjellin problemet me ujë.
“ Në Komunën e Kamenicës do të caktojmë një monitorues për mostrat e ujit”, tha ai.
Sipas tij, është duke u diskutuar mundësia për furnizimin me ujë edhe në disa fshatra të tjera të Kamenicës. “Jemi në kontakt me drejtorin e shërbimeve publike dhe do diskutojmë për furnizimin me ujë edhe në fshatra të tjera”, përfundoi Suliqi.
Ndërsa, përfaqësuesi i fshatit Topanicë, Mumin Zubaku, falënderoi kryetarin Kastrati dhe kompaninë “Hidromorava”, për gadishmërinë e tyre rreth rregullimit të këtij problemi.
E kryetari Kastrati, falënderoi banorët e fshatit Topanicë për kontributin dhe donacionet e tyre për rregullimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit, përgjatë këtyre viteve në këtë fshat.