Bleona Sylejmani ” Dhimbjet do të ikin një ditë” Botoi SHB”Beqir Musliu” Gjilan, 2017,fq.64.
Libri i parë poetik i Bleona Sylejmanit” Dhimbjet do të ikin një ditë”, është artikulim i një fillimi që të jep shpresën për të depërtuar në vazhdimësi të poezisë.
Nexhat Rexha
Fillimi shkrimeve artistike te çdo krijues ka të shprehur dashurinë në shtrirje të kohës, e perceptimeve përmes ndjenjës e përjetimit personal në fokusim të fjalës së bukur. Bleona në vargjet e saj ka arritur të shpreh dashurinë ndaj jetës, si organizim e dëshirë për të ardhmen.
Kuptohet se poezia e saj ka shpalosje të nga më të ndryshmet , të cilat frymojnë e shuajnë etjen e saj, për të komunikuar, shprehur të bukurën dhe brengën e jetës. Poezia si preokupim dhe si ide, vjen në bashkëlidhje me njohjen e saj në botën e artit edhe si fiksion imagjinativ për të realizuar dashurinë për fjalën e bukur artistike.
Libri” Dhimbjet do të ikin një ditë”, ka shtrirje në problematikën e kohës dhe tematika e trajtuar arrin të lidh idetë e autores në koordinim të imagjinatës dhe idesë, duke i dhënë elan jetës se e ardhmja vjen me frymëmarrje më të mirë. Bleona përkundër moshës së re, ajo ka arritur të depërtojë në botën artistike me talent e arritje, e cila me tërësinë e vargut ka përqendrim të pranueshëm e faktik në tematikën e parashtruar në këto ndarje.
Poezitë e librit të diktojnë e të japin botën e tyre, në këto ndarje e perceptime:” Ëmbëlsi e fshehur jete”.”Për fatin e mirë të Arbërisë”, ” Kujtimeve që nuk vdesin” dhe “Frymë e frymës sime”. Në pjesën e parë, ajo është në kërkim të poezisë dhe të fjalës , e cila vjen nga përkushtimi për botën e artit letrar.
Bleona ka preokupim jetën dhe të ardhmen ,sepse ajo nuk dëshiron të humbas kohën kot, konsideron se koha e saj është me vlerë dhe këtë kohë, ajo e çmon në të gjitha pikat e përditshmërisë. Mësimi dhe etja për të zënë kohën i duhet njeriut të ketë zgjuarsinë.
Në poezinë”Koha ime”, mjaft bukur vargjet artikulojnë botën e saj për veprimet dhe iluzionet që ka njeriu. Koha mund diktatet e saj nëpër ditët e ëndrrat që të jep përditshmëria.
Poezia si e tillë peshon në karakterin e brendshëm të saj,sepse në masazhin poetik ajo dikton komunikimin me kohën e saj.”Ndihem e lumtur me atë që kam/ n`iluzione s`jetoj/…Koha ime e artë.
Këto dhe vargje të tjera në këtë cikël të japin shpresën, se ajo di të afrojë fjalën në ide e konkretizim të mesazhit artistik. Kjo edhe kërkohet në botën artistike.
Në pjesën e dytë”Për fatin e mirë të Arbërisë”, tematika e poezisë ka preokupim atdhedashurinë për disa figura që kanë lënë mbesa në leximin e saj, e të cilat kanë arritur të depërtojnë si frymëzim e dashuri për atdheun tonë.
Figurat e njohura kombëtare janë pika referuese të Bleonës, të cilat frymëzojnë e krijojnë shtrirje në formimin e personalitetit të botës njerëzore, si: Skënderbeu,Nëna Tereze, Adem Jashari, dëshmorët dhe si rezultat i luftërave e veprave humanitare të tyre, lira ka kuptim dhe realizon ëndrrat e tyre për tokën e njerëzit e vendit tonë.
Në pjesën e tretë” Kujtimeve që nuk vdesin”, vijnë poezi që për botën e fëmijëve janë frymëzim e frymëmarrje për çdo ditë,familja dhe të afërmit janë ata që diktojnë e japin vullnetin,shpresën për siguri në ecjet e tyre.
Kush më shumë se gjyshja afron dashurinë e ledhatimet më të ngrohta, po kur prek dora e nënës, ajo shëron çdo gjymtyrë t]ë trupit ,kurse babai kur flet, e jep këshilla fëmija pranon atë , e mburret për madhështinë e tij. Në këto përjetime e dashuri të pakufishme Bleona ka shprehur botën e saj ndaj familjes e shkollës.
Këto pikëtakime poetike në poezinë e saj arrijnë orientimin kah rruga e dëshiruar e prindërve. Bleona me këto përjetime reale ka arritur të konkretizojë shkollën e familjen si vatër të diturisë dhe edukatës, që të dyja këto hallka i japin kuptim dhe lidhin të ardhmen e fëmijëve.
Në pjesën e katërt“Frymë e frymës sime”, vijnë vargjet me dashurinë për të ardhmen, sepse jeta dhe rritja e fëmijëve i ka edhe trazimet e trokitjet e zemrës përtej botës së brendshme,ani pse ata nuk shpalosin tërësisht atë që ndjejnë.
Dashuria si akt i përjetimit në kompleksitetin idilik ngërthen e ruan në vete ekzistencën përtej kohës. Në këto shtrirje kohësh,ata ndërthurin ëndrrat për të mundur ditën e vonuar dhe për të arritur tek arsyeshmëria që i jep kuptim edhe titullit të librit ” Dhimbjet do të ikin një ditë”.
Kur përfundon leximin e tërësishëm të librit ,lexuesi arrin të komunikojë me Bleonën më lirshëm ,sepse të gjitha poezitë e librit kanë frymën unike në parashtrimin e kërkesave të saj, si dëshirë e tejkalimit të dhimbjeve që krijon vetë realiteti jetësor.
Urojmë Bleonën për vazhdimësi e avansim të poezisë edhe për shumë vepra që do vijnë bashkë me rriten e saj. Libri i parë krijon mundësinë e shtegtimeve edhe për arritje më të mira në jetë, e këto shtigje janë të hapura me këtë fillim të mbarë e të suksesshëm për Bleonën .