Ndjehem tmerrësisht i ofenduar për mënyrën se si po e trajtojnë Kamenicën votuese, jo vetëm duke e mashtruar, por edhe duke e tallur atë.
Amir Jakupi
Pa u zgjatur shumë këtu, mjaftojnë kodet: Kamenica- kantier ndërtimi, qindra vende pune, zhvillim ekonomik, investime të huaja, turizëm malor, penda, kolektorë e shujta…
E, para nja katër vitesh, edhe Komuna të reja brenda Kamenicës sonë të boshatisur…
Një është e sigurt, se realiteti këtu është i zymtë. Kamenica është braktisur nga pothuaj gjysma e popullatës së saj. Me të mbaruar shkollimin e mesëm, të rinjtë kërkojnë mundësi për t’u larguar.
Ata me më pak mundësi i drejtohen Prishtinës, të tjerët me më shumë ‘fat’ ikin jashtë vendit. Drama sociale është në fshatra; pleq që dergjen pa njeri, vuajnë për një paracetamol, e ku infermiera është luks.
Kamenicasit janë të shqetësuar për papunësinë, ekonominë, varfërinë, shëndetësinë e dërrmuar e arsimin e shkatërruar, e fushata elektorale e zbehtë e anemike e partive politike, nuk bëhet për problemet reale të qytetarëve.