Shkruan: Florim Zeqa
I kemi tre lloje të politikanëve; politikanët karrierist (interegjinjë), politikanët matrapaz (pazaregjinjë) dhe politikanët e ndershëm. Për fatin e keq, dy grupet e para të politikanëve janë në rritje e sipër, kur grupi i politikanëve të ndershëm është duke u zvogëluar dita-ditës shkaku i injorimit nga dy grupet e para të politikanëve.
Të fortët e politikës injorojnë politikanët ndershëm
Politikanët karrierist apo lakmitarë të pushtetit, përveqse më të rrezikshmit janë niveli më i lartë i marrëzisë njerëzore, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetëra njerëzish për marrjen, gjegjësisht mbajtjen e pushtetit.
Politikanët matrapaz apo pazaregjinjët e skenës politike janë vartës të grupit të parë dhe janë grupi i politikanëve që janë të gatshëm t’i ndërrojnë partitë sikurse prostitutat partnerët e natës, pa ju skuqur fytyra fare.
Sikurse të parët (kerrieristët) edhe të dytët (matrapazët) nuk e kanë problem gëlltitjen e “qershive të lagura” në të gjitha stinët e vitit.
Ndërsa politikanët e ndershëm janë kategoria e politikanëve për të cilët ndjejë dhembshuri dhe keqardhje të madhe, të cilët po djegen nën hijen e dy grupeve të politikanëve të sipërcekur sikurse filizi i njomë nën hijen e lisit të djegur.
Nëpër të gjitha partitë politike ka politikan të ndershëm, njerëz të mirë dhe atdhetarë që e duan me shpirtë e zemër atdheun e tyre, të cilët me tërë qenjen e tyre i përkushtohen interesit të shtetit dhe qytetarëve, porqë nuk e kanë fuqinë e vendimarrjes në Parlament dhe brenda partive të tyre. Në pamundësi për t’u përballur me klanet dhe grupet e interesit në hierarkinë e lartë partiake apo shtetërore detyrohen të heshtin që të mos “digjen” politikisht.
Zgjedhjet e kurdisura partiake
Pa dashur të ndalem në emra të përveqëm, me të gjithë politikanët e ndershëm që kam biseduar, asnjëri prej tyre nuk është i kënaqur me menaxhimin e partive nga liderët partiak, ku këta të fundit në vend të meritokracisë, i ngrisin në karrierë politike servilët dhe puthadorët, mercenarët dhe parashutistët nga partitë e tjera.
Kuvendet zgjedhore apo zgjedhjet e brendshme partiake mbahen sa për sy e faqe, pasi paraprakisht caktohen nga lideri i partisë njerëzit më të besueshëm të tij që do të bëhen pjesë e drejtimit të partisë, që i bie se gjithçka kurdiset paraprakisht, duke i caktuar individët (dele-gatët) kush kë për ta propozuar për anëtarë të kryesisë apo këshillave drejtuese brenda partisë e deri tek influencimi i votës së delegatëve në Kuvend.
Situata më e tmerrshme bëhet gjatë proceseve zgjedhore në nivelin qendror dhe komunal, ku gjithnjë mobilizohen grupet e interesit për t’ua grabitur votën elektorateve të tyre. Në rast që ju dështon gjahu gjatë procesit zgjedhorë, menjëherë e “lakojnë bigën” duke i kthyer shpinën elektoratin për t’u futur në koalicion me rivalët politik në zgjedhje.
Kërkohet forcë dhe guxim më i madh i politikanëve të ndershëm
Çfarë duhet të ndodhë në këto situata!? Duhet të ndodhë mobilizimi i elektoratit për t’i ndëshkuar në zgjedhjet e radhës politikanët mashtrues, duke i mbështetur politikanët e ndershëm brenda subjekteve të tyre.
Mirëpo, që ndryshimi të ndodhë më shpejtë dhe sa më parë, secili politikan i ndershëm, pavarësisht grupimit politik, duhet të ngrisin zërin kundër padrejtësive nëpër partitë e tyre dhe të bëhen bashkë në një subjekt të ri politik apo në një alternativë të re politike. Politikanët e ndershëm duhet të digjen si qiriri dhe ta marrin guximin e të sakrifikojnë diçka nga vetja (post të përkohshëm partiak) për të fituar mbështetjen afatëgjatë nga populli, i cili si asnjë herë më parë ka nevojë për një frymë të re dhe mentalitet të ri qeverisës. Populli ka nevojë për një klas të re dhe gjak të ri politik në vend të politikanëve karrierist dhe matrapaz që mendojnë vetëm për veten e tyre.
Soji më i mirë i politikanëve janë ata që e duan vendin dhe popullin e tyre, ata që e vëjnë në plan të parë interesin e qytetarëve, që e respektojnë vullnetin e elektoratit dhe mbrojnë interesat e shtetit edhe përkundër konseguencave partiake. Soji më i keq i politikanëve janë egoistët (ata që e duan veten) të cilët, pasi t’i marrin votën nuk e çajnë më hallin e elektoratit. /2LONLINE/