Tiroidja është një gjendër e brendshme (endokrine) në formën e fluturës, e pozicionuar në qafë, e cila luan një rol të rëndësishëm në organizimin e funksioneve normale të trupit. Nëse jeni femër mbi 35 vjeç, mundësitë e të qenit e prekur prej tiroides rriten me 30%.
E pozicionuar sipër Mollës së Adamit te meshkujt, tiroidja është e specializuar në prodhimin e hormonit të tiroides (HT), i cili, ndër të tjera, shërben për balancimin e temperaturës së trupit, metabolizmit dhe rrahjeve të zemrës. Çrregullsitë e tiroides shfaqen nga hiperaktiviteti ose aktiviteti i ulët i saj, duke prodhuar më pak ose më shumë HT. Por çfarë i shkakton këto parregullsi? Shpeshherë është konstatuar që tiroidja shfaqet si rrjedhojë e gjeneve, ndonjë sulmi autoimun, shtatzënisë, stresit, mungesës së lëndëve ushqimore ose toksinave që rrethojnë mjedisin.
Shpjegim termash
Hipotiroidizmi : Prodhim i ulët i hormonit të tiroides
Hipertiroidizmi : Prodhimi i sasive të larta të hormonit të tiroides
Diagnostikimi nuk është i thjeshtë, por disa nga shenjat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të parandaloni probleme të mëvonshme.
Ndiheni të lodhura
Kjo ndjesi lodhjeje dhe mungesa e energjisë janë probleme që lidhen me shumë gjendje shëndetësore, por në rastin e tiroides, ato kanë të bëjnë me hipotiroidizmin, pra me mosaktivizimin e mjaftueshëm të tiroides që sjell edhe prodhimin e pakët të hormonit. Nëse jeni prapë të lodhura në mëngjes, edhe pas një gjumi të rregullt, kjo është një shenjë e sigurt e kësaj gjendjeje. Sasia e kufizuar e hormonit të tiroides në gjak dhe nëpër qeliza do të thotë se muskujt janë më të ngadaltë në marrjen e informacionit dhe realizimin e komandave të trurit.
Ndiheni të mërzitura
Nëse nuk jeni në humor të mirë dhe ndiheni të mërzitura vazhdimisht, kjo gjendje humori mund të shërbejë si një simptomë e hipotiroidizmit. Pse? Mendohet se prodhimi i pakët i hormonit të tiroides mund të ndikojë prodhimin e serotoninës në tru, hormonit që kontrollon “të ndierit mirë”.
Ndiheni të shqetësuara dhe nervoze pa asnjë shkak
Këto ndjesi nervoziteti lidhen me hipertiroidizmin, gjendjen kur gjendra e tiroides prodhon më shumë hormon se sa nevojitet për organizmin. Metabolizmi mund të kalojë në hiperaktivitet dhe krijon atë ndjesinë e të qenit nën presion.
Ndryshime në oreks
Një rritje e nevojës për të ngrënë ka të bëjë me hipertiroidizmin, sepse hormoni i tiroides lidhet ngushtë me oreksin. Ndërsa një tiroide më pak aktive, ndikon në ndryshimin e nuhatjes dhe të të shijuarit, duke zvogëluar oreksin.
Lëkurën e keni të thatë
Lëkura e thatë, që shoqërohet me ndjesinë e të kruarit, mund të jetë një simptomë e hipotiroidizmit. Ndryshimi në teksturën dhe paraqitjen e lëkurës tregon rreth ngadalësimit të proceseve normale në metabolizëm (shkaktuar prej nivelit të ulët të hormonit të tiroides). Në të njëjtën kohë, thonjtë bëhen më të thyeshëm e formojnë shtresa të jashtme.
Vuani nga konstipacioni
Konstipacioni mund të jetë shenjë e prodhimit të ulët të hormonit të tiroides. Ky nivel i ulët i hormonit ngadalëson procesin e tretjes, duke shkaktuar konstipacion. Nga ana tjetër, një tiroide shumë më aktive se normalja, sjell si rrjedhojë diarre, nga përshpejtimi i vetë procesit të tretjes.
Keni presion të lartë gjaku
Rritja e presionit të gjakut përfaqëson një simptomë të çrregullimeve të gjendrës së tiroides. Njerëzit e prekur nga hipertiroidizmi kanë më shumë gjasa të preken prej hipertensionit. Një teori mjekësore tregon se niveli i ulët i hormonit mund të ngadalësojë rrahjet e zemrës, duke ndikuar në dobësimin e mureve të zemrës. Të dyja gjendjet e tiroides shoqërohen me rritjen e presionit të gjakut.
Shpesh ju ngjiret zëri
Një ndryshim në zë mund të jetë shenjë e çrregullsive të tiroides. Një mënyrë për të kontrolluar tiroiden është mënyra fizike, duke prekur qafën, për të vënë re nëse ka fryrje në atë zonë.
Duke përdorur një pasqyrë dore, shihni fytin teksa kapërceheni, kur pini ujë. Provojeni disa herë dhe nëse përballeni me shenja të pazakonta dhe ndiheni të pasigurtë, ne ju sugjerojmë të këshilloheni me një doktor.
Po ju dobësohen flokët
Flokët e thatë dhe të ndjeshëm që bien ose dobësohen shërbejnë si simptomë e hipotiroidizmit. Niveli i ulët i hormonit të organizëm ndërpren ciklin e rritjes së qimeve, duke shkaktuar humbjen e flokëve dhe të qimeve kudo në trup. Një gjendër hiperaktive, nga ana tjetër, shfaq dobësi të qimeve vetëm në zonën e kokës.
Nëse prekeni prej disa prej këtyre shenjave, është e këshillueshme të kontaktoni me një doktor, i cili mund t’ju japë një raport të plotë rreth gjendjes së tiroides suaj. Shumë individë në të gjithë botën janë të prekur prej tiroides dhe ndërgjegjësimi për këtë gjendje është i nevojshëm, jo vetëm për veten, por edhe për mirëqenien e njerëzve që ju rrethojnë.