Sa herë që afrohet data e 1 shtatorit, kemi një pikëpyetje të madhe rreth asaj se si do të jetë ky vit, a do të ketë përmirësime, a do të realizohet planprogrami i paraparë, sa do jemi të suksesshëm, e shumë pyetje e nënpyetje tjera.
Shkruan: Bekim Thaqi
Në teori zakonisht jemi mirë, me planprograme të ndryshme herë të kopjuara e herë të punuara vet, me opinione se ky vit do të jetë më produktiv, më i realizuar dhe më i suksesshëm?
Problemet zakonisht fillojnë të shfaqen kur dëshirojmë të fusim në zbatim atë që e kemi planifikuar. Zbatimi paraqet sfidën kryesore dhe ndoshta edhe të pakapërcyeshme.
Shumica e shkollave nuk i plotësojnë kushtet e duhura, dhe kur vie te ballafaqimi me planprogram i punuar për kushte normandike, përkundër kushteve kosovare që ne aktualisht i kemi atëherë shfaqen pengesat e para. Nuk ka kabinete të mjaftueshme, por edhe aty ku ka nuk shfrytëzohen mjaftueshëm. Nuk ka mjaftueshem kompjuterë, e mjete tjera audiovizuale dhe të punës praktike që nxënësi të ketë mundësi të punojë dhe sfidohet në praktikë.
Çështja tjetër që paraqet ndoshta edhe sfidën më të madhe është diciplina në shkolla. Nuk ka diciplinë të mjaftueshme si nga ana e nxënësve por edhe nga ana e mësimdhënesve. Mungon pjesa e edukimit dhe nxënësit janë të paraprirë të bëjnë zhurmë dhe të mos respektojnë mësimdhënësit, dhe siq dihet aty ku ka zhurmë nuk ka mësim. Mësimdhënësi nuk respektohet dhe për më tepër ai është i kufizuar në veprimet e tija.
Shkollat, në përgjithësi, nuk kanë psikolog ku do të drejtoheshin nxënësit e padiciplinuar, dhe me këte ata e prishin orën e mesimit duke prishur qetësinë edhe për nxënësit tjerë. Në këtë mënyrë në vend se të trajtohet një apo dy nxënës anashkalohet e gjithë klasa dhe rezultati është shumë i ulët.
Një pjesë e mësimdhënësve nuk e kanë guximin e duhur dhe aftësinë për tu përballur me raste te tilla. Duke i ikur problemeve me një ose dy individ problemi bëhet i klasës dhe rrjedhimisht edhe i shkollës.
Shpeshherë mesimdhënësit që duan të bëjnë diqka në këtë aspekt dekurajohen pasi ka nxënës të “paprekshëm “ dhe shkurt nuk kanë zgjidhje përpos lajmërimit tek drejtoria e shkollës dhe aty përfundon gjithqka.
Shumica e trajnimeve e parapara për mësimdhënës, disi bëhen shpejtë dhe pa ndonje motiv të qartë. D.m.th puna kryhet (në praktikë trajnimi mbahet suksesshem në aspektin e orëve të shpenzuara) por askush nuk interesohet sa kanë përfituar mësimdhënësit nga kjo, dhe nuk bëhet ndonjë vlerësim pas kësaj, se sa gjen zbatim trajnimi i dhënë.
Zgjidhja duhet të bëhet në mënyrë që ti kushtohet rëndësi tepër e madhe diciplinës dhe edukimit të nxënësve. Mosmbajtja e diciplines pason mandej me të gjitha problemet e mundshme. Nëse nuk ka diciplinë mund te sillen edhe planet më të mira në botë dhe më kot.
Institucionet arsimore duhet të kenë një plan “Marshall” për të rikthyer diciplinën dhe dinjitetin e mësimdhënësit dhe nxënësit në shkolla. Nëse fillimisht rikthehet diciplina në shkolla ajo më pastaj do të rezultojë me rezultate të mira në të gjitha fushat.
Përdite lexojmë në gazeta, dhe na vie interesant e besa edhe çuditemi se si japonezët, gjermanët e të tjerët kanë sisteme të mira arsimore. Mirëpo ata i kanë ato, pikërisht se i kushtojnë rëndësi të jashtëzakonshme diciplinës dhe edukimit moral dhe etik të nxënësve.
Vetëm nëse e bëjmë këtë atëherë kemi bërë kthesën e madhe të rikthimit në binarë e duhur të sistemit arsimor të Kosovës.