Shkruan: Sabedin Sinani
Për besë, nuk shkon e nuk bënë kështu, një kryeministër që tregon se me të zotët i kemi në diasporë, i bie se në Kosovë kanë mbetur dora e dytë, dora e tretë…
Si duhet ta ndjejnë veten mësuesit e Kosovës kur më të zotët kanë ikur në diasporë. Po studentët e Kosovës si ndjehen, bizneset e punëtorët e sektorit privat, sektorit publik?!
Çfarë po ndodhë kështu?! Pse shoqëria shqiptare po prodhon politikanë që kacavirren në dritare e ngrihen zvarrë nga makina për tu arrestuar…
Çfarë kafshë politike po pjell shoqëria kosovare, me politikan që atdheun po e bëjnë karrocë mobile, për ta endë si lecke nëpër salla dasmash nëpër botë.
Çfarë na duhen politikanë me atdhe rezervë, që fëmijët u jetojnë dhe ju mësojnë në shkolla nordike.
Nuk ua kemi pas borxh me na e bë Republikën sportel për emigracion, e me ne shku në oda me hëngër pasul në qilima bojëgjaku!
Prandaj, fushatën eja e bëjeni në Kamenicë e jo në Frankfurt, në Malishevë dhe jo në München, në Ferizaj dhe jo në Sion, në Viti dhe jo në Gjenevë, në Vushtrri edhe jo në Vjenë…, sepse prioritet duhet të gëzojnë qytetarët e Kosovës, jo diaspora.
Pjesa më e madhe e saj është rehatuar atje ku jetojnë, ata kanë vende të punës, kanë sigurime shëndetësore, nuk ju duhet të dërgojnë familjarët e tyre për shërim në Turqi e Maqedoninë e Veriut dhe të paguajnë shuma të mëdha parash. Nuk ju duhet që për të realizuar një të drejtë që ju takon, që është e garantuar me ligj e kushtetutë të gjejnë sekser dhe të japin mito.
Ajrin dhe ujin e kanë të pastër, ushqimin që konsumojnë është i shëndetshëm dhe i kontrolluar, arsimin e kanë në nivelin më të mirë të mundshëm, sundimi i ligjit dhe siguria Juridike janë po ashtu.
Nëse shqetësimi i këtyre njerëzve të diasporës qenka kaq i madh dhe merakosen kaq shumë, le të kthehen e të jetojnë në Kosovë. /2LONLINE/