Shkruan: Bekim Thaqi
Parasë gjithash duhet kuptuar që kemi të bëjmë me një plan të strukturuar, të organizuar mirë dhe grup terrorist të gatshëm edhe për aksione në terren. (Grupi sigurisht i takon një grupacioni më të madh si “Severna Brigada” dhe i mbështetur nga BIA serbe dhe Wagner). Me vendosjen e tyre në Manastirin në Banjskë dhe mos ikjen menjëherë pas vrasjes së policit të Kosovës shihet që ka vullnet edhe për vetësakrifikim dhe qëndresë përballë policisë së Kosovës.
Si i futën gjithë ato armatime?!
Nëse e analizojmë me kujdes pajisjen e tyre me vetura dhe uniforma të ngjashme me të KFOR-it, atëherë nuk duhet të çuditemi se si i futën armatimet e ndryshme. Kjo na jep të kuptojmë se grupi terrorist ka lëvizë krejt lirshëm në tërë pjesën veriore të Kosovës pa u ndalur dhe legjitimuar nga askush dhe me gjasë kanë shkuar deri në rrugët dytësore në kufij dhe aty janë ngarkuar me armë të ndryshme për ti shkarkuar ato nëpër pika të ndryshme në pjesën veriore sikurse Manastiri në Banjskë.
Ka gjasë që kur të jenë takuar me policinë e Kosovës edhe të jenë përshëndetur me dorë, sepse kush do të dyshonte në veturat me emblema të KFOR-it dhe me njerëz me uniforma të ngjashme sikurse ato të KFOR-it.
Si ju dështoi plani grupit terrorist?!
Sipas të gjitha gjasave grupi terrorist ka qenë në lëvizje natën kur është vrarë polici duke bartur armatime dhe pasi janë ndeshur me policinë e Kosovës nga frika e zbulimit kanë sulmuar policinë e Kosovës me ç‘rast edhe është vrarë polici ynë.
Pas vrasjes grupi kriminal është tërhequr në bazën e tyre në Manastir dhe nga ajo që shihet nga incizimet me dronë ata kanë vendosur që të bëjnë qëndresë. (Kjo pasi grupi terrorist ka mundur të tërhiqet nëpër mal në këmbë mirëpo nuk e ka bërë këtë).
Vetëm pas aksionit të organizuar mirë të policisë së Kosovës dhe eliminimin e pararojës së grupit, grupi në panik ka ikur nga manastiri.
Çfarë tani?!
Policia dhe të gjitha strukturat e sigurisë, duhet ta rrisin vigjilencën në 100 përqind sepse aksione të tilla mund të ketë prapë, pasi grupi terrorist do të rigrupohet dhe bashkë me pjesëtarët tjerë dhe ndihmën e shërbimeve sekrete serbe dhe Wagner mund të tentojë një eskalim më të hapur dhe më të gjerë. /2LONLINE/