Shkruan: Arsim Kastrati
Një kombëtare me synime më modeste, me më shumë lojtarë që luajnë në ekipet kosovare dhe me trajner kosovar! Sa t’mujnë me mbrri le të mbrrijnë fundja, sukseset e sporteve ekipore nuk mund të mos e pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të shtetit dhe shoqërisë të cilën e përfaqësojnë.
Nisur nga kjo, më fort do të luftonin për sukses disa lojtarë dhe një trajner vendor se sa një trajner i huaj dhe një ekipë e tërë lojtarësh, shumë të angazhuar nëpër liga të futbollit europian.
Pastaj si ekipë e re përfaqësuesja jonë, ma merr mendja, më mirë do të ishte të përzgjedhte një stil tjetër të lojës nga ai që po e bënë tani. Ekipet e reja dhe jo të fuqishme është më mirë të përqëndrohen në mrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta, se sa në sulm dhe në mbajtje të topit në mesfushë për intervale më të gjata kohore! E kur edhe sulmi edhe mbrojtja nuk janë të koordinuara dhe të një cilësie kushedi se çfare (sidomos sulmi) atëherë e tërë loja dhe strategjia dështon.
Për ta çuar pak më tutje analizën time modeste dhe për ta thjeshtuar edhe më tepër do të thosha, që ekipa e Kosovës është më mirë të luaj lojën në stilin e Italisë e të Kroacisë sesa ate ate të Brazilit dhe Spanjës pra: mbrojtje e fortë dhe kundërsulme të shpejta.
Kur është mbrojtja e fortë dhe sulmi solid atëherë edhe mesfushës i lehtësohet puna.
Ndërsa komponenta tjetër ku çalojmë jo vetëm si futboll por si shoqëri kosovare në tërësi, është mungesa e vullnetit dhe depresioni për shkak të krizës kronike dhe pritjeve të pa adresuara si dhe mungesa e një narracioni koheziv shoqëror që do ti nxiste njerëzit e këtij vendi, për zhvillimin dhe përparimin e tij.
Kështu ndoshta edhe ekipa jonë futbollistike do të luante më fort nëse, në përbërjën e saj do të kishte pak më shumë lojtarë vendor dhe nëse do të udhëhiqej po nga një selektor vendor, të cilët do të kishin më tepër motiv dhe vullnet për paraqitje më të mira!
Pse mos të jetë kështu më mirë, pse mos tu japim rast ta tregojnë vehten lojtarët dhe trajnerët vendor, pse mos të jemi pak më të durueshëm dhe më modest?
Nuk priten suksese të shpejta e të mëdha nga një skuadër e re e një shteti të vogël! /2LONLINE/