PËRVJETORI I SHKUARJES NË AMSHIM 16 JANAR – SI E NJOHA SHKRIMTARIN ADEM GASHI (1953-2024)
Mehmetali REXHEPI-Meti
Adem GASHI ishte kultivues i të gjitha llojeve të shkrimit poetik dhe i diskurseve kritike, eseistike dhe publicistike. Botoi njëzet e pesë vëllime poetike-artistike: poezi, tregime, romane, kritikë letrare dhe publicistikë kulturore. Redaktoi një mori vëllimesh letrare. Ishte krijues dhe intelektual me ndikim në jetën letrare, kulturore dhe shoqërore në Kosovë. Pashmangshëm edhe ai provoi dhe vuajti burgun politik të Serbisë.
Të komunikoje me poetin dhe intelektualin Adem GASHI, sidomos kur të jepej rrethana nga afërsia, mund të vjelje shumëçka me vlerë nga përvoja e një shkrimtari dhe njeriu të sferës së urtisë. Ai kishte akumuluar përvojë e dije, jo veçse nga ligjëratat e fakultetit, por edhe përvojën gojore të brezave pararendës të shumtën të pashkruar, e mbjellë dhe e vjelë odave të traditës së pasur të Drenicës së tij kryengritëse dhe të panënshtruar në shekuj.
Me Adem GASHIN jam njohur pa u parë, as pa e takuar asnjëherë më parë! Në kontekstin e këtij pohimi lyp shteg pyetja: çfarë njohje ishte ajo pa u parë e pa u takuar? Si e tillë, megjithatë ajo njohje ishte nëpërmjet brendisë dhe sinqeritetit të vargjeve, të poezisë që e hasnim dhe e gëlltitnim nga gazetat e revistat e përkohshme; por ndonjëherë edhe përmes blic pamjeve më të rralla në paraqitjet e takimeve letrare në mediet e atëhershme. Mosha dhe brumosja e brezit tim të kthesave, e drejtuar kahes së artit të shkruar, i bënim sytë katër pas daljes së ndonjë poezie dhe autorit të saj në revistat e censuruara, qoftë në të përditshmen “Rilindja” apo në të përjavshmen “Zëri i rinisë”, te “Pionieri” kur ishim nxënës çunakë e, te e për dy mujorja “Jeta e Re” duke qenë ende gjimnazistë. Në vijim në revistën për kulturë dhe letërsi “Fjala…” Disa nga autorët, ndonëse të panjohur, pa trokitur hynin në shtëpinë time të kureshtjes me tumirje të menjëhershme. I tillë ishte edhe emri i Adem GASHIT. Mandej ndodhnin takime në veprimtari letrare. Takimet i bënim me përqafime e marrje ngrykë, sikurse të ishim njohur kaherë me njëri-tjetrin dhe krejtësisht përmallueshëm.
Më kishte lënë mbresë qasja njohëse nga ana e Ademit për shokun tim të bankës në gjimnaz të Alush Canajt; që ndonëse po brumosej si një poet i talentuar pati një fat me fund të dhimbshëm tragjik nga ndërhyrja e UDB-s. Adem GASHI pos shfaqjes në fushë-shtrirjen e shkrimeve për fëmijë të poetit premtues Alush Canaj, shpërfaqi dhe një njohje të thellë shpirtërore, me një fjalor spikatësh të veçorive dhe për vizionet tejpamëse të poetit fatprerë. E kam shpaluar nga arkivi i kujtesës sime një paraqitje të Adem GASHIT në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, me përdorim gojëtarie model për shtruarje dhe kapje të dhënash e dëshmish të sakta zbërthyese të vjershërimit të ndërprerë të poetit të ndjerë të lartpërmendur. Paraqitja e atillë e Adem GASHIT ishte për t`u përmendur gjatë.
Adem GASHI ishte ithtar këmbëngulës për shmangie nga shabllonet dhe përsëritja e shprehjeve dhe figurave të shfrytëzuara e të shpërfytyruara, aq sa nuk iu kishte mbetur pikë lëngu për t`i ushqyer motivet dhe morinë e ideve të pakufishme poetike. Ai gjithnjë mëtoi kërkimin e risive për futje në fjalësin poetik, për ndërtimin e një simbolike të re dhe veshje të reja metaforike mbi trupin e fjalëve që formësojnë vargje dhe ide. Ato formulime artistike, sipas tij, duhej të ishin asisoj që sistemi metaforik e figurativ të mos ishte qëllim i vetvetes, goditje pa cak dhe pa atmosferën e frymëmarrjes së hollë përshkuese në ndjesinë shpirtërore të lexuesit. Sipas kontekstit ai metaforikes së luleve ua lypte pos të këndshmes, erë-ëndjen edhe erë-helmin për shporrjen e së keqes dhe të shëmtuarës nga shpirti i njeriut. Pra, e bukura e Adem GASHIT nuk ishte vetëm erë-ëndja që josh e grish, që përkëdhel e gudulisë, por bukuria duhej të kishte edhe kundërhelmin kundruall së shëmtuarës, keqdashjes dhe gjithë kategorisë helmuese të së çiltrës, përballje gjithë asaj që në njëfarë mënyre mbanë në duar çelësin e grilave për lirinë si konceptim njerëzor e kombëtar, si vlerë njerëzore universale.
ARDHËS DHE IKANAKË
në Edi 2 vijmë pothuajse çdo ditë
herë vetëm nga tre e dy
dhe mblidhemi në mesditë
të vjetër e të rinj
e flasim gjithçka pos për vdekjen
se ajo është prani e mungesës
një ditë na e merr njërin
tjetrin natën tjetër
e marrim vesh vonë se qemë pelegrinë
të një procesioni të rrallë
rrugës që çon e nuk kthen
na pëlqen t`i themi përrallë
LIRIKU I HOLLË
Liriku i hollë Adem GASHI nga një pamje e rëndomtë, nga një ndejë rasti idenë poetike ishte në gjendje ta zgjeronte prej gjësendi më të thjesht në përmasë të zgjeruar, mandej ta shpinte në caqe të thella dhe, sërish ta kthente në pikën fillestare të nisjes për ta paqësuar trishtimin e asaj: “rrugës që çon e nuk kthen
na pëlqen t`i themi përrallë”
Invencioni krijues i poetit thellohet në dukuri përmes një qartësie që prodhon valë reflektimesh meditative. Si e pamë poezia e këtillë është lehtë për t`u lexuar, e këndshme për t`iu qasur ngërthesave, e kapshme për t`ia zbërthyer pamjet, por e vëmendshme si udhërrëfyese në përditshmërinë harrestare të jetës. Motivet vijnë të turbullta e të kthjellëta, grishje të ëmbla e gracka lakmish si kurdisje të përhershme të iluzioneve për vetëkënaqje, derisa hyjmë “rrugës që çon e nuk kthen.” Poeti nuk i vë pikë asaj rruge të pakthyeshme, porse ne “na pëlqen t`i themi përrallë”, as këtij iluzioni të përrallës nuk i vuri pikë. Përse? Pseja është e qartë ngaqë njerëzimi ushqehet edhe me iluzionet e përtej vdekjes! Kësisoj, ndoshta do të vlente kapja pas urtisë: njeriut më mirë t`i jepet shansi i tejkalimit rrugës së moskthimit përmes mos-hetimit të atij fundi fatal nëpërmjet dehjes së përrallës dhe iluzioneve të përjetësisë, se sa t`iu shtrohesh pritjes së anktheve të shpeshtuara të shuarjes? Nënteksti do të na shpinte te karakteri dhe ndjesia esëll e poetit.
PROZA E PLEKSJEVE MEDITATIVE
Në fushën e prozës, të tregimit të shkurtë Adem GASHI doli të jetë nga prozatorët e shkathtë. Në prozë, veçmas në tregime për secilin motiv që trajton, autori stilin e tij e pleks me llojin e dijes për poetikën:
“Tashti që po bëhem gati ta mbyllë, këtë të ashtuquajtur tregim, më ra ndër mend se Migjeni ka shkruar dikur një “ Ngjarje pa lëvizje” me një kalë midis. Sillu e mos lëviz, e shoh se më doli parabolë. O Zot, ku të futem po ma lexuan këta të diturit si term gjeometrik? U luta gabim. Jezu Krisht, na ndih me parabolat e tua! E shoh se ende nuk e paskam vënë çelësin ku duhet dhe kali i fantazisë po kullotka në livadhet e shkreta.” (Tregimi i fundvitit që m`u bë parabolë)
Te proza e shkurtë apo në tregimin, nga i cili shkëputëm fragmentin e fundit, autori kap motivin për ta shtjelluar pos me gjuhën e figurshme, që nuk ka qëllim të vetëm dhe të tejdukshëm, meqë shkrimtari rrëfimit të tij nuk i vë thjesht një detyrë të vetme: ecurinë e dëftimit, atë dhe aty ku mëton diskursi rrëfimtar. Ana e fytyrës rrëfimtare narrative ngarkohet për të bartur edhe peshën e simbolikës, metaforiken dhe meditativen. Në të vërtetë në prozën që kultivoi Adem GASHI ka poetikë, por edhe ide e mendime, për aq sa mund t`i shpie udhë-rrëfimi tregimtar mbi trupin dhe gjymtyrët e veta.
Shkrimtarinë e Adem GASHIT e shohim, e përjetojmë dhe ia ndiejmë pulsimet e një ndjeshmërie në dukuritë e jetës e të ndërtimit të marrëdhënieve të mjediseve shoqërore me ngarkesa patologjike, të djeshmes dhe të sotmes së beftë me kahe të mjegulluara. Shtrohet pyetja: çfarë mjetesh rrëfimtare i duheshin këtij shkrimtari për t`i kapur ritmet e dinamikës moderne, që e nëpërkëmbin popullin me galopin rrotullues të papriturave? Gjithsesi, gjallëria e të shprehurit artistik të shkrimtarit në realitetet sistemore, të cilat po rrënonin rendin e deridjeshëm për ta sjellë të sotmin, pa ndonjë qartësi për ritmet e së ardhmes, solli pështjellime dhe pasiguri, dukurinë për kapje gjeturish ose mbetje pezull dhe me plagë të pashëruara të gjenocidit. Është periudha e kapjeve të mundshme, e shquarjes së egoizmit dhe të shfaqjes së ligësive të konsumit, shpërfytyrimeve pushtetare dhe njerëzore. Demokracia e pa frenuar ngre përbindësh modern!
Gjuha rrëfimtare përshkohet nga ironia, nga mëdyshjet e metamorfozave të karaktereve, nga ligësia e stolisur me buzëqeshje, nga zmadhimi i egos deri në përmasa mitike!
THELLËSI DEPËRTIMESH STILISTIKE
Stili i kondensuar i rrëfimit të shkrimtarit Adem GASHI shfaqet në motivin e dashurisë. Depërtimet në aktet e tendosjes intime të personazhit anonim, të paidentifikuar, por vetëm si një përemër vetor i gjinisë femërore e dëshmojnë pohimin tonë për përkatësinë dhe çfarësinë e stilit të këtij shkrimtari. Në personazhin femëror Ajo, shpërfaqet thellësia e gjendjes së tundimit, sipas një pulsimi të përshkallëzimit dramatik të ngritjes së temperaturës, pas prekjes të dorës së Amorit. Më tej pushtohet teksti:
“Ajo e ndjeu një lëngëzim të kërmilltë brenda të mbathurave dhe mundi vetëm të tundte kokën që, pak a shumë, mund të lexohej si: “aty.”
(Dy rrëfenja erotike dhe një peng në xhep)
DITË E KËNDSHME JANARI
Më poetin e mikun Adem GASHI më rastisi të ishim në juri për vlerësimin e shkrimeve të konkursit letrar për Manifestimin gjithëkombëtar tashmë tradicional “Flaka e Janarit”2021, që mbahet në Gjilan për nderimin e dëshmorëve të atdheut, që nga vdekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri te heronjtë e UÇK-s.
I kishim lexuar dorëshkrimet e konkursit letrar anonim për “Flakën e Janarit” 2021, në cilësi të jurisë letrare për përzgjedhjen e shkrimeve në poezi dhe prozë. Jurinë e përbënim Adem GASHI, unë (M.R.) dhe Linditë Ramushi – Dushku. Ademi erdhi nga Prishtina në Gjilan pakës më herët, ashtu si e kishim paracaktuar pikëtakimin. Po pinim kafetë para se t`i shpalonim dorëshkrimet e konkursit letrar anonim. Natyrisht ndeja dhe biseda mes nesh ishte e këndshme. Të tillë atmosferë mes nesh solli Ademi. Tek unë droja e mospajtimit në çështje të kriterit dhe të shijes për përzgjedhje shkrimesh, shpejt u pezullua, sikurse një mjegull që e shporrin rrezet e forta të diellit. Po ia shpaloja shijet Ademit për akëcilën poezi dhe për akëcilin tregim i autorëve konkurrues. E mori qetë dhe shtruar shijen e gjetjeve të mia dhe, plotësisht ishin përputhur me të tijat, madje edhe Linditë Ramushi – Dushku u pajtua, ngase të njëjtat shkrime të përzgjedhura nga ne i kishin pëlqyer dhe asaj! Në këtë përgjegjësi kriteri e shijesh, rrodhi mbarë e mirë njëra nga ditët e janarit të vitit 2021.
Në këtë pikë Adem GASHI dëftoi edhe ndodhi marrëzie, që i ishin shfaqur atij përkitazi mëtimit për të arritur qëllimin e shpërblimit në mënyrë të pandershme. Nuk e fshehu as paraqitjen anonime e një femre të panjohur, e cila i ishte shfaqur në celular. Andaj tha: e përmblodha me të katra si një femër që, “para të gjithash e shitke tejet lirë nderin tënd, moj e pafytyrë! Si e tillë nuk i duhesh as poezisë, as familjes!”
Nuk kishe si të mos e çmoje një qëndrim të tillë etik e njerëzor të njeriut, të poetit dhe të prindit të pjekur Adem GASHI.
Adem GASHIN e admiroja veçmas për gojëtarinë, për mënyrën e qartë, të lehtë e të rrjedhshme të artikulimit të thënies në paraqitjet e tij publike, sidomos në sferën e kompetencës dhe të përvojës vetjake për letërsinë, për poezinë, për kulturën e shkrimit. Ishte ngulmues i kërkimeve të figurave, të atilla që e pasuronin fondin e të shprehurit poetik në shqipe. Kërkonte tejkalimin e shprehjeve, që ishin shter, nga përdorimi i tepruar. Në këtë pikë-qëndrim Adem GASHIN e kemi njërin nga poetët e risive estetike. Pohimin e përtrollit bindshëm poezia e tij. /2LONLINE/