/2L ONLINE/ – Derisa KQZ-së, nuk po i ngutet, kur është në pyetje sqarimi rreth legjitimitetit të Partisë së Drejtësisë (PD), që drejtohet nga Ferid Agani apo PD-së që drejtohet nga Sylejman Qerkezi, ky subjekt politik po vazhdon të funksionojë me të dyja palët që pretendojnë në legjitimitet dhe kjo ka refleksion edhe në Gjilan, ku kemi të dyja grupimet që thirren se janë degë legjitime. Kjo tani u pa edhe me rastin, kur njëra anë, me Selvete Shurdhanin kryetare të degës, bëhet pjesë e një grupimi (shih shkrimin: Formohet Grupi G3) dhe tjetra anë me kryetar të Degës Skender Berishën, reagon duke deklaruar se nuk është pjesë e këtij grupi sepse përfaqësuesja që thirret e PD-së, në atë grup, nuk përfaqëson më PD-në.
“Meqenëse Partisë së Drejtësisë(PD) në Kosovë e veçanërisht në Gjilan po i imponohet një rrugë që dëmton parimet themelore të saj, shprehim kundërshtimin tonë si Degë e PD-së në Gjilan, për vendimin e marrë për formimin e të ashtuquajturit “G3 ” nga dy partitë e përfaqësuara në asamblenë Komunale në Gjilan KDTP dhe AKR në njërën anë, kurse në anën tjetër me të nderuarën Selvete Shurdhani, ish kryetare e PD-dega në Gjilan, e cila që nga data 03.11.2016 nuk përfaqëson më PD-në Dega në Gjilan”, thuhet në reagimin e Degës së PD-së së Gjilanit me kryetar Skender Berishën, pas lajmit të bërë publik se treshja e anëtarëve të Kuvendit: Ismet Hajdini, Selvete Shurdhani dhe Renan Imami kanë formuar Grupin G3.
Në këtë reagim të PD-së që drejtohet nga Berisha thuhet se i bëjnë me dije edhe KDTP-së edhe AKR-së, se PD-ja, Dega në Gjilan, nuk është e përfaqësuar nga Selvete Shurdhani në asamblenë komunale, dhe si e tillë PD, nuk do të të hyjë në “koalicione të dyfishta” ose në të ashtuquajturin “G3” pasi që ky subjekt politik ka koalicionin me LDK-Dega në Gjilan.
“Edhe një herë i bëjmë me dije opinionit të gjerë publik, dhe atyre me të cilët kemi marrëveshje koalicioni, se PD-ja në Gjilan nuk përfaqësohet më nga Shurdhani, dhe si e tillë ajo mundë të lidhë marrëveshje vetëm si anëtare e “pavarur ” e Kuvendit, apo e “aderuar” në ndonjë parti tjetër me të gjithë ata të cilët ajo i sheh si të dobishëm për shoqërinë. Të tilla grupacione ka të ngjarë që kanë tentuar edhe të tjerë të krijojnë, por përderisa ka përfaqësuesit e saj, Dega në Gjilan me kryetarin e ri Skender Berisha dhe kryesinë e re, të tilla tentativa prapa shpine gjithmonë do të hasin në kundërshtim nga PD-dega Gjilan. Pra “AKR-KDTP-PD”, për PD-në, Dega në Gjilan nuk vlen”, thuhet në fund të reagimit. /2L ONLINE/