(2LONLINE) – Emërimet në pozitën e drejtorit në drejtoritë përkatëse të ish kuvendarëve, apo vazhdimi i punës në pozitat e nivelit qendror, ka determinuar edhe plotësimin e atyre vendeve të Kuvendit me kuvendarë të rinj dhe kjo ka ndodhur edhe në seancën e sotme ku përbërjes të KK-së së Gjilanit iu janë bashkuar edhe dy anëtarë të rinj, Selvete Shurdhani nga Partia e Drejtësisë (PD) dhe Renan Imami nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).
Kështu, pas marrjes së detyrës së drejtorit të Drejtorisë Komunale për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale të Labinotë Demi Murtezi, atë e ka zëvendësuar Selvete Shurdhani ndërsa, Kadir Hysein ka vazhduar punën e tij në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa pozita e tij në Kuvend është zëvendësuar tani me Renan Imamin.
Edhe Shurdhani edhe Imami kanë dhënë betimin e tyre dhe janë bërë pjesë aktive e punës së kuvendit ndërsa në ndonjë seancë të radhës pritet të bëhet edhe zëvendësimi i Selver Xhelilit të Partisë Republikane (PR), i cili e ka marrë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit dhe duhet të zëvendësohet me ndonjë përfaqësues tjetër, sipas votës, të PR-së. /2lonline/