Ka disa vite që i jam larguar aktivitetit politik, thënë të drejtën po ndihem më shumë optimist, i pa stresuar dhe, pa armiq e pa konflikte; ndoshta këto janë edhe disa arsye pse sot jam pjesëtar i shoqërisë civile, kjo e fundit po më bënë të ndihem edhe më mirë.
Shkruan: Xhafer Haliti – 2LONLINE.com
Por, nuk mund të them se nuk po i ndjekë politikat ditore, edhe nëse nuk do, nuk mundesh. Ditëve të fundit kam analizuar thellësisht zhvillimet e fundit politike jo pse bëj punën e analistit por këto “analiza” i kam shikuar e shtjelluar në aspektin psikologjik të vet profesionit tim, pasi edhe po përfundoj studimet pasdiplomike në degët e Psikologjisë.
Edhe pse si person shquhem shumë si kritik, por në realitet më shumë jam autokritik, gjithmonë duke shtruar pyetjet se: Jo çfarë ka bërë shteti për mua! por unë çfarë kam bërë për shtetin? bile më neverisin individët që presin të punësohen me kartela partish e që tërë ditën sorollatën kafe e n’kafe e servilohen nga kryetarët e tyre; madje disa që kryen shërbimet si sekserë të tyre. Por jo më!
Duket se karantinimi, tollovia ose shkarkimi i qeverisë në kohë pandemie, qeveria e re me “njerëz të vjetër” jo vetëm që po i japin një frymë të re “liderëve të rinj” por edhe vetëdijesimi qytetarëve të Republikës së Kosovës; duket se po normalizohen gjërat, madje edhe meritokracia po e zërë vendin e saj, kërkesat për punësim po rriten dita ditës, profesionalizmi po kërkohet gjithandej, qytetarët po vetëdijesohen, më nuk po mashtrohemi, madje edhe jemi bërë më bashkëpunëtorë e të afërtë me njeri-tjetrin, ka ndikuar edhe vetizolimi në ngjalljen e kreativitetit, është larguar dembelia dhe po shohim më pastër e më mirë.
Më nuk po ndërrohen “çarçafët e bordellos” e as “vajzat e saj” por po mbyllën shtëpitë publike, dhe po hapen tempujt e dijës, shpresoj që ky “vetingu i ri” që po funksionalizohet në shoqërinë tonë, të fuqizohet njëherë e mirë, ku gotës me gjysmë uji të mbushur t’i themi: është gjysmë e mbushur e jo gjysmë e zbrazur, e ku një pikë e zezë në fletën e bardhë të mos jetë fokusi ynë.