Në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit të mbajtur më 22 Shkurt, kam kërkuar sqarime shtesë që kanë të bëjnë me Raportin Vjetor të Punës , ku hyjnë aktivitetet e Drejtorive dhe Njësive për vitin 2017.
Shkruan: Arbëreshë Kryeziu Hyseni
Nga Drejtoria për Arsim, kam kërkuar sqarime shtesë në lidhje me shumën prej 26,000 euro që janë dhënë për subvencione, ndërsa nuk dihet kujt i janë dhënë këto subvencione apo cili ka qenë destinimi i tyre?
Gjithashtu, kam kërkuar të di cilat shkolla kanë përfituar nga furnizimi me inventar shkollorë, sepse askund në raport nuk përmenden emra të shkollave përfituese.
Nga Drejtoria për Urbanizëm, kam kërkuar të di për çfarë arsye në raport thuhet se është marrë vendimi për rrënimin e 8 objekteve, ndërsa janë rrënuar vetëm 4 nga to dhe cilat janë ato 4 objekte, të cilat nuk janë rrënuar dhe për çfarë arsye?
Nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, kam kërkuar sqarime sa i përket Qendrës së Shërbimit Social, në lidhje me adoptimin e fëmijëve të braktisur. Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar në Gjilan kanë lindur 4 foshnja , të cilat janë braktisur, ndërsa janë paraqitur shtatë kërkesa për adoptim. Kam dashur të dijë a e ka fituar ndonjëra prej këtyre shtatë familjeve të interesuara për adoptim, të drejtën për të adoptuar, sepse nëse janë 4 raste të foshnjave të braktisura dhe 7 kërkesa për adoptim, i bije që secili fëmijë do të mund të gëzonte të drejtën të rritej në një familje. Dhe cilat janë lehtësimet qe i ofron ky shërbim, pasi që e dimë që procedurat për adoptimin e një fëmije gjithnjë e më shumë po komplikohen, ndërsa kërkesat po shkojnë gjithnjë e duke u rritur.
Ndërsa, përpos faktit që Raporti Vjetor i Punës, ka përmbajtje komplet sipërfaqësore, gabime të shumta në përllogaritje që mesa duket “nuk” kanë qenë “të qëllimshme”, ndër të tjera edhe pjesë të bartura nga raporti i vitit 2016 vetëm sa për tu dukur sa më voluminoz, ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore, gjë për të cilën e kam ngritur si shqetësim timin, sepse besojë që është e pafalshme që një dokument zyrtar i dalë nga Zyra e Kryetarit të Komunës, të ketë gabime të tilla drejtshkrimore. Në veçanti, këto gabime të numërta gjenden në raportin e Njësisë për Personel, Njësisë për të Drejtat e Njeriut, Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Si dhe, gjithashtu kam shprehur shqetësimin tim në lidhje me Konkursin Anonim Letrar, që mbahet në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit”, shqetësim ky i ngritur edhe nga komuniteti i artit letrar në Gjilan.
Pavarësisht anonimitetit të kësaj gare, është kuptuar që fituesi i dy çmimeve të para, ka rastisur të jetë miku i kryetarit të jurisë (më konkretisht vëllai i gruas). Ndryshe, ky fitues nuk mbahet mend të ketë marrë pjesë në këtë garë së paku jo këtyre dhjetë viteve të fundit, e aq më pak të ketë fituar ndonjë çmim. Kam kërkuar nga koordinatori për Kulturë,Rini dhe Sport që të dimë nëse kriter për të konkurruar në një garë të tillë është raporti i konkurruesit me ndonjërin nga anëtarët e jurisë, apo vlerësohen vlerat që garuesit i sjellin nëpërmjet veprave të tyre të artit letrar?
Nuk e kam marrë asnjë përgjigje nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Arsimit, me arsyetimin që nuk ka informacione dhe përgjigjet do të kthehen me shkrim, kam marrë një përgjigje të pjesshme nga drejtori i Urbanizmit, ndërkohë do të kërkojë përgjigje me shkrim sepse dua të dijë cilat janë ato katër objekte që rezulton se “i kanë marrë” lejet e ndërtimit, ndërsa kam marrë përgjigje deri diku nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ndërkaq, nga koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk kemi marrë ndonjë të dhënë konkrete, sepse mesa duket e kanë sjellë raportin e Flakës së Janarit për vitin 2017, ndërsa pranon se ka pasur parregullsi. Sa i përket pyetjes sime, tha që nuk e dinë që një gjë e tillë ka ndodhur, por që do të interesohet personalisht të marrë informata.
Unë pres përgjigje në secilën pyetje timen, ndërsa do të vazhdojë të kërkojë përgjigjeje deri në momentin kur ti marrë ato.
/autorja është këshilltare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/