Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shtyrë dy pikat e rendit të ditës që kishin të bëjnë me amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës dhe projektligjin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Heqja nga rendi i ditës u bë me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së, dhe e mbështetur nga grupet tjera parlamentare.
Kërkesa e grupit parlamentar të PDK-së, mori 83 vota për, 2 kundër asnjë abstenim. Shefi i GP-së të PDK-së, Adem Grabovci në arsyetimin e tij për tërheqje tha se duhet një konsultim më i madh rreth këtyre dy pikave.
“Unë propozoj që për shkak që të kemi konsulta të mëtutjeshme për pikën 4 dhe pikën 13 të rendit të ditës, të hiqen sot dhe të mbesin për nesër për t’u shqyrtuar”, tha Grabovci.
Këtë propozim e përkrahu edhe Grupi Parlamentar i LDK-së, ku shefi i këtij grupi Ismet Beqiri tha se kurdo që vjen projektligji për themelimin e FAK-ut do të votojnë pro.
“Unë edhe pse po e përsëris qëndrimin e LDK-së se kurdo që votohet për FAK-un ne do të votojmë. Po nëse ka nevojë për konsultime, ne nuk kemi asgjë kundër që kjo të shqyrtohet nesër dhe ne do ta votojmë”, tha Beqiri.
Ndërkohë, Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se kjo tërheqje po bëhet për shkak të kushtëzimit që po i bëjnë pakicat, veçanërisht përfaqësuesit e pakicës serbe, kushtëzim ky që po pamundëson amendamentimin e Kushtetutës për të cilin të gjitha forcat politike në Kosovë janë pajtuar që të ndryshohet dhe janë shprehur pro themelimit të FAK-ut, të cilat do ta mbronin sovranitetin dhe integritetin e vendit.
“Mendoj që është momenti dhe natyrisht se duhet të thuhet edhe nga tjerët se sa problematike po na paraqitet kjo vota e dyfishtë që na është imponuar, që po na dëshmon që në fakt ka rrezik për ta bërë tërë Kosovën jo funksionale sepse po i bëjnë institucionet jo funksionale. Pra, ajo që po e ngit këtë jo funskioanlitet tek instiucionet për të vendosur për një çështje jetike për vendin është vota e dyfishtë të cilët po kushtëzohen amendamentet kushtetuese sot, por do të kushtëzohen edhe nesër, nuk thash për seancën e nesërme por për të ardhmen, nëse e mbajmë si kategori kushtetuese këtë që na është imponuar”, tha Ymeri.
Edhe, AAK-ja mbështeti kërkesën e GP të PDK-së, ku deputeti dhe shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini tha se për AAK-në është jashtëzakonisht me rëndësi që të kenë Forca të Armatosura dhe Ushtri, por që sot nuk mund të votohet pasi nuk janë kushtet e duhura.
“Është e qartë se sot nuk kemi kushte dhe kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse po shtyhet. Me siguri se aranzhmanet kushtetuese janë kogja të zorshme por nëse votojmë tani këto janë ato rregulla sipas të cilave mund të votojmë dhe për këtë sot nuk mund të votojmë. Duhet të shpresojmë që nesër mund ta bëj më një gjë të tillë. E kam kërkuar edhe në kryesi se duhet një harmonizim paraprak sepse nuk mund të ndodh që një Kuvend i cilës do republikë që të ndryshohet kushtetuta vetëm duke e qitur një letër përpara”, tha Gjini.
Myzejene Selmani ka apeluar të liderët e partive që të bëhet një marrëveshje mes shumicës dhe minoriteteve, e jo të vijë pas pasur ndonjë marrëveshje, sepse as nesër nuk do të miratohen pa pasur marrëveshje.