(2L ONLINE) – Drejtues të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik(DZHE), të Komunës së Gjilanit, bënë të ditur se për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar gjatë ditës së sotme, si pasojë e reshjeve të mëdha në qytet, Panairi Regjional – Gjilani 2014, do të shtyhet për një ditë dhe do të mbahet duke filluar nga dita e shtunë, 2 Gusht, duke filluar nga ora 10:00.
Ismail Januzi, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik (DZHE), ka thënë se marrë për bazë se Panairi Regjional- Gjilani 2014 është dizajnuar që të mbahet në hapësirë të hapur, është e pamundur që të ndërrohet lokacioni i paraparë.
Sipas tij, të gjitha aktivitetet e ndërlidhura me Panairin do të zhvillohen normalisht gjatë ditës së shtunë dhe të diel, 2 dhe 3 gusht, sipas agjendës së paraparë.
Panairi Regjional Gjilani 2014, organizuar nga komuna e Gjilanit, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, ne bashkëpunim me Qendrën Regjionale të Marketingut – Lindje, ishte paraparë të hapej të premten e të mbahej me 1, 2 e 3 gusht në qendër të qytetit në Gjilan, por tani do të jetë veëtm dy ditë.
Përndryshe, Panairi Regjional Gjilani 2014 do të shfrytëzohet për promovimin dhe shitjen e produkteve vendore të cilat ofrohen nga kompanitë te regjionit lindje. Ne kuadër të panairit do të organizohet edhe program i pasur kulturo artistik dhe rekreativ. /2L ONLINE/