Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj siç ka thënë ai kërcënimeve publike që po i bëhen punëtorëve të arsimit, të administratës, të shëndetësisë. Krasniqi në rrjetin social Facebook, ka ngritur shqetësimin e tij për këtë dukuri.
“Joshja dhe kërcënimi publik që u bëhet punëtorëve të arsimit, të administratës, të shëndetësisë, të policisë dhe të shfrytëzuesve të ndihmave sociale se do të largohen nga puna apo ndalen ndihmat sociale janë veprime jo vetëm të pa drejta, por janë edhe të dënueshme dhe nuk guxojnë të ndodhin në një shoqëri demokratike, në Kosovën Evropiane. E njëjta vlen edhe për punëtorët e atyre shërbimeve publike, të cilët nuk guxojnë ti shfrytëzojnë vendet e punës për lobime politike, pasi që të gjithë paguhen nga paraja publike.
Të qenurit punëtor publik nuk i pengon ata të votojnë për subjektin apo kandidatët që ju besojnë. Ndërsa, partitë politike, të pozitës apo të opozitës, nuk kanë asnjë të drejt t”i kërcënojnë punëtorët e shërbimeve të përmendura me humbjen e vendit të punës, pasi Buxheti nga i cili paguhen ata është buxhet publik. Përkundër kësaj, njerëzit në Kosovë po vazhdojnë të kërcënohen nga partitë që qeverisin në nivelin lokal.
Kërcënimet e kësaj natyre, gati çdo njëri nga ne i ka përjetuar para qershorit 1999, të përsëritet e njëjta praktikë e shëmtuar edhe 14 vjet pas çlirimit, është çmenduri. Ato janë veprime që dikur i ka pas instaluar famëkeqja UDB-a serbe/jugosllave. Vazhdimi i atyre praktikave, sigurisht që nuk i duhet askujt e aq më pak qytetarit në një shoqëri demokratike.
Qytetarë e Kosovës e kanë për obligim që të shkëputen nga praktikat e tilla dhe të nisin një fillim të ri, fillimisht në qeverisjen lokale e pastaj edhe në zgjedhjet për Institucionet qendrore që priten të organizohen në vitin 2014. Rirreshtimi politik në Republikën e Kosovës është bërë domosdoshmëri nëse dëshirojmë ndryshime të thella në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës.
Shtetit tonë nuk i duhen qytetarët e pa dinjitetshëm, frikacak e servilë, përkundrazi i duhen qytetarët e dinjitetshëm, të guximshëm e të vendosur për ti emëruar gjërat ashtu siç janë, pra i duhen qytetarët me kurriz të qëndrueshëm e jo butakët. Lufta duhet të bëhet me qytetarë të dinjitetshëm për qytetarë trima e të ndershëm. Kjo është çështja që duhet të ndodhë pa u vonuar në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.