Biznese të ndryshme në Kamenicë i janë përgjigjur thirrjes për humanitet pas përhapjes së virusit COVID-19. Këto biznese kanë dhuruar gjëra ushqimore e higjienike për familjet në nevojë në Komunën e Kamenices, dhe kanë shprehur gatishmëri që prapë të dhurojnë në raste nevoje.
Në këtë situatë të tanishme ajo që është më se e nevojshme është edhe mbrojtja e punëtorëve që janë në terren, të cilët doemos duhet të jenë të pajisur me maska e dorëza.
Në mungesë të maskave, një donacion ka ardhur nga shtëpia e modës ‘Er-Rosi’ me pronare Ibadete Sermaxhaj. Ajo ka qepur 300 maska për nevoja të të gjitha institucioneve publike.
Zëvendës kryesuesi dhe koordinatori i Shtabit Emergjent komunal, Ramadan Basha e ka pranuar këtë donacion dhe ka falenderuar zonjën Sermaxhaj për gatishmërinë e saj.
Ndër të tjera edhe pronarja e shtëpisë së modës ‘Er-Rosi’, Ibadete Sermaxhaj u shpreh e gatshme që të qepë maska akoma për aq sa ka nevojë.
“Komuna ndër të tjera falenderon të gjitha bizneset në Kamenicë që po ndihmojnë në këtë situatë me të gjitha kapacitetet që kanë. Rri në shtëpi, kujdesu për veten dhe familjen!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicsë.