Nga Shtabi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, në një konferencë për media, janë vlerësuar gjilanasit që po tregojnë kulturë të lartë qytetarie e demokratike dhe se është apeluar për dalje masive në zgjedhje
Diana Toska nga Shtabi i LDK-së ka thënë se procesi zgjedhor në Gjilan ka nisur mbarë dhe të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë.
“Procesi po shkon mbarë pasi nuk është raportuar për ndonjë problem që do të ndikonte në proces zgjedhor dhe me këtë rast, i falënderojmë qytetarët që po tregojnë kulturë të lartë demokratike e qytetarie, duke qenë shembulli më i mirë për gjithë Kosovën”, ka thënë ajo.
Deri në ora 13:00, sipas informatave të koordinatorëve të LDK-së në të gjitha qendrat e votimit, kanë votuar 14,732 qytetarë ose 14.5 për qind.
Krahasuar me zgjedhjet e 17 tetorit, dalja është pak më e ulët për 1 për qind.
“Shtabi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës i Degës së LDK-së falënderon qytetarët që po i përgjigjen pozitivisht daljes në votime, ndërkaq apelojmë të gjithë që të dalin për ta përcaktuar të ardhmen e Komunës së tyre”, ka thënë Toska. /2LONLINE.com/